Policia e Kosovës ka njoftuar se po heton një rast të cenimit të përcaktimit të lirë të votuesve, i ndodhur më 3 tetor 2025, në komunën e Leposaviqit, raporton Telegrafi.

Sipas raportit policor, një grua kosovare ka raportuar se është kanosur nga një person, me qëllim që të votojë për një subjekt politik të caktuar.


I dyshuari, një burrë kosovar, është intervistuar nga policia dhe, pas konsultimit me prokurorin e rastit, është liruar në procedurë të rregullt.

Policia ka bërë të ditur se rasti po hetohet për veprën penale “Cenim i përcaktimit të lirë të votuesve”, në koordinim me organet e drejtësisë. /Telegrafi/