"Kalimi te Barcelona është hap i madh, por Rashford nuk e meritoi" - Sheringham godet anglezin për sjelljen e tij
Ish-sulmuesi i Manchester United, Teddy Sheringham, ka komentuar Marcus Rashfordin, duke thënë se një transferim i tij te Barcelona nuk është i merituar në këtë fazë të karrierës.
Në një intervistë për Sky Bet, Sheringham e cilësoi situatën e Rashford te Man United si "shkatërruese", duke kritikuar mënyrën si sulmuesi anglez po i qaset të ardhmes së tij.
“Kur je futbollist i ri, ëndrra jote është të arrish në nivele të larta dhe të luash për klube si Manchester United. Dhe kur je aty, duhet ta vlerësosh. Nuk mund të heqësh dorë lehtësisht dhe të thuash se do të largohesh”, deklaroi Sheringham.
Ai shtoi se nuk i pëlqen qasja që ka treguar Rashford, duke e krahasuar situatën me rastin e Aubameyang te Arsenali, i cili gjithashtu kishte kërkuar largimin në mënyrë të hapur.
“Nga këndvështrimi im, një kalim nga Manchester United në Barcelonë do të ishte një hap i madh përpara – por është një hap që Rashford nuk e ka merituar”, përfundoi Sheringham.
Rashford ka arritur në Barcelonë, duke kryer testet mjekësor, ndërsa nesër ai do të prezantohet pasdite si lojtar i ri i klubit katalanas. /Telegrafi/
































