Ka një mënyrë për ta kthyer kaosin e Trumpit në mundësi: Ja çfarë duhet të bëjnë liderët evropianë

Burimi: The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com
Kjo është arsyeja pse “Amerika e para” nuk ka pse të nënkuptojë “Evropa e fundit”.
Qëkur Donald Trump hyri në Shtëpinë e Bardhë - para më pak se tre muajsh - evropianët kanë pasur plot arsye për të qenë të zhgënjyer. Presidenti amerikan ka deklaruar se BE-ja është krijuar për të “t’ia futur Shteteve të Bashkuara” dhe ka vendosur tarifa ndëshkuese ndaj mallrave evropiane. Ai ka vënë në dyshim angazhimin e ShBA-së për të mbrojtur aleatët e NATO-s. Është afruar me Vladimir Putinin, ka fyer Volodymyr Zelenskyyn dhe ka tentuar të zgjidhë luftën e Rusisë në Ukrainë në mënyrat të cilat do të minonin sigurinë evropiane. Zëvendëspresidenti i tij i ka nënvlerësuar vlerat demokratike evropiane dhe ekipi i tij i sigurisë kombëtare ka derdhur vrer në një bisedë në Signal kundër Evropës “patetike”.
Megjithatë, këto re të errëta të epokës Trump mund të kenë një rreze shprese, nëse ne evropianët e luajmë lojën siç duhet. Ardhja e një regjimi jodemokratik, autoritar e nacionalist te aleati ynë më i afërt, mund të rezultojë në një bekim të fshehur nëse kjo ndihmon liderët evropianë të largojnë pengesat e vetimponuara për integrim. Vetëm mendoni për mundësitë e shumta për ta bërë Evropën sërish të fuqishme:
- Të finalizohet më në fund unioni i tregjeve të kapitalit dhe unioni bankar evropian për të çliruar fuqinë e investimeve ndërkufitare prej rreth tre trilionë eurosh të kursimeve evropiane;
- Të arrihen marrëveshjet tregtare me vendet dhe rajonet e ndryshme të botës që kërkojnë një partner të besueshëm e të angazhuar për uljen e tarifave dhe jo për përdorimin e tyre si armë;
- Të zhvillohen bashkërisht kapacitetet e përbashkëta mbrojtëse për të forcuar krahun evropian të NATO-s dhe për të qenë të aftë të mbrojnë interesat evropiane nëse ShBA-ja tërhiqet ose qëndron mënjanë;
- T’i jepet Ukrainës ndihma më e madhe ushtarake, përfshirë raketat me rreze mesatare, për të plotësuar boshllëkun e ShBA-së dhe për të forcuar pozitën e saj përpara çdo negociate;
- Të ndërtohen koalicionet ndërkombëtare për të mbrojtur demokracinë liberale dhe për të ruajtur një rend ndërkombëtar të bazuar në rregulla - me partnerë me mendësi të ngjashme që nga Kanadaja deri te Japonia, India dhe Australia;
- Të zgjerohen partneritetet ekonomike me vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme në Azi, Afrikë dhe Amerikën Jugore të cilat e konsiderojnë BE-në një partner më të qëndrueshëm se ShBA-në proteksioniste apo një Rusi grabitqare - dhe si një alternativë të vlefshme ndaj një varësie të tepërt nga Kina
- Të ofrohet një program i posaçëm vizash për të tërhequr shkencëtarët dhe punonjësit e teknologjisë nga ShBA-ja, të cilët po largohen për shkak të goditjes së Trumpit ndaj universiteteve.
Për më tepër, të gjitha këto mund të realizohen pa hequr dorë nga partneriteti ekonomik transatlantik që mbetet marrëdhënia më e madhe tregtare në botë, me investime dypalëshe që kaluan pesë trilionë dollarë në vitin 2023. BE-ja vazhdon të jetë tregu i vetëm më i madh në botë, me rreth 448 milionë konsumatorë dhe një vend tërheqës për bizneset të cilat kërkojnë stabilitet politik, sundim të ligjit dhe fuqi të kualifikuar punëtore. Kjo është arsyeja pse investimet amerikane vazhdojnë të derdhen në Francë, pavarësisht nivelit të lartë të taksave dhe rregulloreve.
Sa i përket tregtisë, BE-ja ka vepruar me maturi duke mos u hakmarrë në mënyrë të nxituar ndaj çdo njoftimi të çrregullt nga Shtëpia e Bardhë, ndërsa ka bërë të qartë gatishmërinë e saj për të përdorur të gjitha mjetet në dispozicion - përfshirë edhe ato kundër gjigantëve të teknologjisë amerikane - nëse Trumpi nuk pranon një zgjidhje të drejtë. Ende nuk është e qartë nëse do të arrihet një marrëveshje e negociuar, por BE-ja duhet të punojë në afat të mesëm për ta bërë ekonominë e saj më pak të varur nga eksportet drejt ShBA-së dhe Kinës.
Tarifat e llogaritura në mënyrë arbitrare nga Trumpi, së bashku me shkurtimet në ndihmën për zhvillim dhe ndihmën humanitare, si dhe përfundimi i mbështetjes amerikane për promovimin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut në botë, kanë rritur kërkesën për angazhimin evropian - jo vetëm për të mbushur boshllëqet e lëna nga ndërprerja e papritur e ndihmës amerikane, por edhe për të ndërtuar një marrëdhënie të qëndrueshme. Fatkeqësisht, disa vende të mëdha evropiane po ulin gjithashtu buxhetet për ndihma, për të financuar shpenzimet shtesë për mbrojtjen.
Përveç tronditjes që vjen nga veprimet armiqësore të Trumpit, ekziston edhe një arsye tjetër për të besuar se BE-ja më në fund mund të arrijë disa nga përparime të mëdha që kanë qenë të paarritshme gjatë dekadës së fundit: lidershipi. Gjermania është nën udhëheqje të re dhe kancelari i ardhshëm, Friedrich Merz, ka shfaqur gatishmërinë për të hedhur poshtë dogmat e buxheteve të balancuara prej dekadash, me qëllim ringjalljen e një ekonomie të stagnuar, ndërtimin e mbrojtjes më të fortë dhe rikuperimin e infrastrukturës së amortizuar të vendit të tij.
Merzi i qendrës së djathtë, i cili do të udhëheqë një koalicion qendror mes kristiandemokratëve të tij dhe socialdemokratëve, ka shpallur ambicien për të ringjallur udhëheqjen gjermane në BE - në partneritet me presidentin francez Emmanuel Macron dhe kryeministrin polak Donald Tusk. Ai gjithashtu dëshiron të afrojë Mbretërinë e Bashkuar më afër BE-së në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, duke bashkëpunuar me Keir Starmerin si për të ndërtuar një mburojë më të fortë ndaj agresionit të Putinit, ashtu edhe me shpresën për një afrim ekonomik afatgjatë që do të kapërcejë dëmet e shkaktuara nga Brexit-i.
Historikisht, integrimi evropian është i prirë të përshpejtohet gjatë krizave dhe të ngadalësohet kur presioni bie. BE-ja përballet tani me dy sfida ekzistenciale: një Putin të pamëshirshëm dhe revizionist, si dhe një Trumpi vandal e të paparashikueshëm. E, pastaj është sfida e tretë e brendshme: populizmi nacionalist i cili mund ta copëtojë Unionin, nëse brezi aktual i liderëve nuk i jep Evropës një shtysë të re themelore.
Nëse populistët pro-Putin në Hungari dhe Sllovaki bllokojnë përdorimin e institucioneve të BE-së për të arritur këto objektiva, atëherë qeveritë duhet të formojnë koalicione të vendeve të gatshme për të marrë vendimet e nevojshme, të mbështetura nga Komisioni Evropian sa herë që është e mundur.
Liderët evropianë duhet të investojnë tani, së bashku dhe me vendosmëri, kapitalin e tyre politik për ta kthyer katastrofën Trump në një mundësi për Evropën. /Telegrafi/

















































