Justifikimi i Ferrarit për skualifikimin e paprecedentë të Hamilton dhe Leclerc në Kinë

Të dy pilotët e Ferrarit, Lewis Hamilton dhe Charles Leclerc u skualifikuan nga Çmimi i Madh i Kinës pasi u konstatua pas garës se makinat e tyre nuk respektonin rregullat.
Leclerc kaloi vijën e finishit në vendin e pestë dhe Hamilton në të gjashtin, por tre orë pas garës ata u skualifikuan dhe humbën respektivisht 10 dhe 8 pikë.
Në peshimin e rregullt pas garës, makina e Leclerc ishte një kilogram më e lehtë se minimumi i lejuar, me peshë 799 në vend të 800, ndërsa Hamilton u skualifikua për shkak se pllaka në dyshemenë e pasme të makinës së tij ishte e veshur më shumë se sa lejohej, që do të thotë se ishte gjysmë milimetri më e hollë se sa duhej.
Sigurisht, nuk u desh shumë kohë që tifozët e Ferrarit të lënë komente të zemëruara në rrjetet sociale për sikletin e pabesueshëm dhe skuadra italiane lëshoi një deklaratë në të cilën jepte një justifikim për lëshimet e pabesueshme.
Përkatësisht, ata fajësuan gomat për pezullimin e Leclerc. Ata deklaruan se Charles kishte një strategji me një ndalesë, dhe se gomat ishin shumë të konsumuara, gjë që rezultoi në peshën e makinës 799 kilogramë në fund të garës.
“Sa i përket Hamiltonit, ne jemi fajtorë për keqvlerësimin e veshjes së dyshemesë së pasme”, deklaroi Ferrari, duke shtuar se ata nuk kishin ndërmend të fitonin një avantazh, por se do të mësonin nga këto gabime në mënyrë që ato të mos përsëriten në garat e ardhshme. /Telegrafi/

















































