LAJMI I FUNDIT:

Jeta, karriera dhe përfundimi tragjik i River Phoenix – vëllait të yllit të “Joker”

Jeta, karriera dhe përfundimi tragjik i River Phoenix – vëllait të yllit të “Joker”
(Foto: Instagram/riverphoenixheart)

River Jude Phoenix ka qenë një aktor amerikan, muzikant dhe aktivist për të drejtat e kafshëve. Ai është rritur në një familje artistësh, si vëllai i madh i Rain Phoenix, Joaquin Phoenix, Liberty Phoenix e Summer Phoenix.

Edhe pse nuk kishte bërë ndonjë shkollë apo kurs formal, ai tregoi talent instinktiv për kitarën, ndërsa karrierën artistike e filloi në moshën dhjetëvjeçare në reklama televizive.

Në vitin 1985 luajti në filmin fantastiko-shkencor, “Explorers”, ndërsa roli i tij i parë i rëndësishëm ishte një vit më pas në “Stand by Me” të bazuar në romanin “The Body” të Stephen King.


Rain dhe Joaquin Phoenix – motra dhe vëllai i River Phoenix (Foto: Matt Winkelmeyer/Getty Images/Guliver)

Me pas, ai bërë një transformim sa i përket karaktereve duke luajtur në filma për audiencë më të rritur, si “Running on Empty” (1988), duke u nominuar për çmimin Oscar për aktorin më të mirë në rol dytësor dhe në “My Own Private Idaho” (1991) për të cilin po ashtu mori lëvdata të shumta, ndërsa e fitoi Kupën Volpi në Festivalin e filmit në Venecia, si edhe çmimin e aktorit më të mirë nga Shoqata Kombëtare e Kritikëve të Filmit.

River Phoenix vdiq nga mbidoza me drogë në West Hollywood në orët e hershme të 31 tetorit të vitit 1993, në moshën 23 vjeçare. Asokohe ishte duke xhiruar filmin “Dark Blood”, i cili u publikua i pakompletuar në vitin 2012.

Fëmijëria

River Phoenix në filmin “Stand By Me” (Foto: Allstar/Columbia Pictures)

Phoenix lindi më 23 gusht 1970 në Madras të Oregonit, si fëmija i parë i Arlyn Dunetz dhe John Lee Bottom, ndërsa emrin e mori sipas lumit (River) të jetës nga romani “Siddhartha” i Hermann Hesse, ndërsa emrin e mesëm (Jude) e mori sipas këngës së “The Beatles”, “Hey Jude”.

Familja ishte zhvendosur nëpër vende të ndryshme gjatë kohës sa ai ishte fëmijë, ndërsa u rrit në Micanopy të Floridës, në afërsi të qytetit Gainesville, ku familja e tij jetonte në varfëri.

River shpesh luante kitarë dhe këndonte me motrën e tij nëpër rrugë për të përfituar para dhe ushqim, për ta mbështetur familjen e tyre. Ai nuk ka shkuar në një shkollë formale dhe nuk ishte edukuar. Dinte shkrim dhe lexim, por nuk dinte më shumë lidhur me historinë apo letërsinë. Madje është thënë se vuante nga disleksia (çrregullim i të mësuarit që përfshin vështirësitë në lexim për shkak të problemeve në identifikimin e tingujve të të folurit dhe të mësuarit dhe se si ato lidhen me shkronjat dhe fjalët (deshifrimi).

Kur familja e tij u bë pjesë e kultit ‘Fëmijët e Zotit’, River kishte refuzuar të ishte pjesë e tij, ndërkohë që revista Vanity Fair ka raportuar se atë e kishin përdhunuar në moshën katërvjeçare. Mirëpo, vëllai i tij, Joaquin, ka mohuar të ketë ndodhur diçka e tillë duke thënë se ai bënte shaka me mediat për shkak të pyetjeve të vazhdueshme që ia bënin.

Në vitet e shtatëdhjeta, familja e tij u vendos në Florida, ku edhe e ndryshuan mbiemrin në Phoenix, sipas shpendit mitik, feniks, që ngrihet nga hiri i vet – për të simbolizuar kështu fillimin e ri të familjes.

Karriera në aktrim

Filmi “Explorers” me të cilin filloi të njihej

Agjentja Iris Burton e vërejti talentin e River, Joaquin dhe motrave të tyre, Summer dhe Rain, të cilët i morë nën menaxhim.

River filloi të bënte reklama për Mitsubishi, Ocean Spray e Saks Fifth Avenue, ndërsa më vonë së bashku me anëtarët tjerë të familjes nënshkruan me Paramount Pictures.

Në vitin 1980, ai nisi të merrej seriozisht me aktrim duke regjistruar paraqitjen e parë në serialin “Fantasy”, pastaj në serialin “Seven Brides for Seven Brothers” (1982). Gjatë kësaj kohe, ai interpretonte me kitarë nëpër evenimente të ndryshme, ndërkohë që merrej edhe me vallëzim.

“Celebrity”, “Backwards: The Riddle of Dyslexia”, “It’s Your Move”, “Robert Kennedy and His Times” ishin disa prej realizimeve në vazhdim, para se të luante në filmin fantastiko-shkencor, “Explorers” (1985), në të cilin luajti me Ethan Hawke.

“Stand by Me” (1986) ishte filmi që e bëri të njohur si aktor, ndërsa më pas luajti në “The Mosquito Coast” (1986) krahas yjeve të mëdha, Harrison Ford dhe Helen Mirren. Pasoi drama komike “A Night in the Life of Jimmy Reardon” (1988), më pas “Little Nikita” (1988).

Me rolin e tij në “Running on Empty” (1988) u nominua për çmim Oscar në rol dytësor, si dhe për Golden Globe. Ndërsa Bordi Kombëtar i Shqyrtimeve ia ndau çmimin e aktorit më të mirë në rol dytësor.

Përmes vëllait të tij, Joaquin, River u njoftua me aktorin e famshëm, Keanu Reeves, me të cilin luajtën fillimisht në filmin “I Love You to Death” (1990) dhe më pas në “My Own Private Idaho”, për të cilin mori lëvdata të shumta duke fituar çmimin për aktor më të mirë në Festivalin e Venecias, Shoqatën Kombëtare të Kritikëve të Filmit dhe në Independent Spirit Awards. Asokohe, aktori kishte nisur të përdorte marihuana, kokainë dhe heroinë.

Keanu Reeves dhe River Phoenix në filmin “My Own Private Idaho” (Foto: Fine Line Features)

Me Robert Redford dhe Sidney Poitier luajti në trilerin për komplot dhe spiunazh, “Sneakers” (1992). “Even Cowgirls get the Blues” (1993) dhe “The Thing Called Love” (1993) ishin filmat në të cilët luajti para vdekjes (dhe filloi realizmin e “Dark Blood”), ndërsa në xhirime kishte nisur lidhjen e dashurisë me bashkaktoren Samantha Mathis.

Muzika

Edhe pse karriera filmike sillte të hyrat e familjes së Phoenix, vet ai e kishte pasion më të madh muzikën. River ishte këngëtar, kantautor dhe një kitarist i mirë. Luante në këtë instrument që nga mosha pesëvjeçare, mirëpo për arsye financiare ishte orientuar më shumë kah aktrimi.

Së bashku me motrat dhe vëllanë e tij kishin bërë muzikë rrugëve si fëmijë, ndërsa pas sukseseve në aktrim i kishte realizuar disa këngë, duke përfshirë “Heart to Get”. Më vonë kishte nënshkruar kontratë dyvjeçare me Island Records, ndërsa në vitin 1987 e formoi grupin “Aleka’s Attic”, ku bënte pjesë edhe motra e tij, Rain Phoenix.

“Across the Way”, “Curi Curi”, “Too Many Colors” ishin disa nga realizimet e tij, ndërsa grupi u shpërbë në vitin 1992. Sidoqoftë, River vazhdoi të merrej me muzikë duke lansuar këngë, si “Lone Star State of Mine”, si dhe bashkëpunimet me John Frusciante (kitaristin e “Red Hot Chili Peppers”), “Height Down” dhe “Well I’ve Been”.

Aktivizmi

(Foto: Matt Winkelmeyer/Getty Images/Guliver)

Phoenix ka qenë një aktivist i përkushtuar për të drejtat e kafshëve, ambientalist dhe aktivist politik. Ishte një zëdhënës i njohur u PETA-s dhe në vitin 1992 e fitoi çmimin humanitar nga kjo organizatë për përpjekjet e tij në grumbullimin e fondeve për të drejtat e kafshëve.

Me grupin e tij, shpesh merrte pjesë nëpër koncerte që kishin për qëllim aktivitetet ambientaliste, ndërsa në vitin 1992 kishte ndihmuar në fushatën e Bill Clintonit në zgjedhjet presidenciale.

Vdekja

River Phoenix (Foto: Instagram/riverphoenixheart)

Në ditët para vdekjes së tij, River shoqërohej me kitaristin e “Red Hot Chili Peppers”, John Frusciante, me të cilin merrnin sasi të mëdha drogash dhe thuajse nuk flinin. Në fillim merrnin kokainë në formë pluhuri, më pas injektonin kokainë dhe pastaj injektonin heroinë.

Mbrëmjen e 30 tetorit 1993, Phoenix duhej të performonte me yje, si Flea (nga “Red Hot Chili Peppers”), Johnny Depp e Gibby Haynes në një klub nate në HollyWood, ku kishte shkuar bashkë me Frusciante dhe menjëherë kishin nisur të merrnin kokainë, edhe pse veçmë kishin marrë më herët. Gjatë performancës i kishte thënë një shokut të tij se nuk ndihej mirë, por më pas ishte këndellur paksa. Pas daljes nga lokali, e kishte humbur vetëdijen dhe është rrëzuar, ndërsa ka pasur konvulsione. Vëllai i tij, Joaquin, e kishte thirrur emergjencën, ndërsa motra Rain i jepte frymëmarrje artificiale.

Anthony Kiedis dhe John Frusciante nga “Red Hot Chilli Peppers” (Foto: Gareth Cattermole/Getty Images/Guliver)

Në momentin e arritjes së ekipeve paramjekësore, River ishte akoma gjallë, por ishte cianotik dhe në arrest kardiak, ndërsa u dërgua me urgjencë në spital. Përpjekjet e ekipeve mjekësore për ta mbajtur gjallë ishin të pasuksesshme dhe ai u shpall i vdekur në orën 1:51 të datës 31 tetor 1993, në moshën 23 vjeçare. E dashura e tij, Samantha Mathis, e kishte deklaruar fajtor Fruscianten për vdekjen e tij, ndërsa edhe babai i aktorit e kishte fajësuar atë. Mirëpo, familja asnjëherë nuk ngriti padi ndaj askujt për vdekjen e djalit.

Autopsi, gjegjësisht testet toksologjike, gjetën përqendrime të larta të morfinës dhe kokainës në gjakun e tij, si edhe substancave të tjera në përqendrime më të ulëta. Shkaku i vdekjes ishte “intoksikimi akut me droga të shumta”, duke përfshirë morfinën dhe kokainën.  /Telegrafi/

Në trend Magazina

Më shumë

"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë

Magazina
Fejohet Majk, publikon fotografi nga propozimi që i bëri partneres

Fejohet Majk, publikon fotografi nga propozimi që i bëri partneres

Magazina
Shyhrete Behluli shënon 50-vjetorin e karrierës së saj muzikore

Shyhrete Behluli shënon 50-vjetorin e karrierës së saj muzikore

Magazina
Bebe Rexha bëhet zyrtarisht aksionare në gjigantin e pijeve alkoolike

Bebe Rexha bëhet zyrtarisht aksionare në gjigantin e pijeve alkoolike "Provocativo"

Magazina
Ronaldo pret në intervistë YouTuber-in e famshëm MrBeast, e pyet se a frikohet që futbollisti do t'ia kalojë me shikueshmëri

Ronaldo pret në intervistë YouTuber-in e famshëm MrBeast, e pyet se a frikohet që futbollisti do t'ia kalojë me shikueshmëri

Magazina
Moment i sikletshëm për Lelën - reagon ashpër ndaj veprimit të Drilonit

Moment i sikletshëm për Lelën - reagon ashpër ndaj veprimit të Drilonit

Magazina
Kalo në kategori