Jep dorëheqje asamblistja e AAK-së në Gjakovë, ish-drejtoresha e Arsimit

Ish-drejtoresha e Arsimit në Komunën e Gjakovës, Eranda Kumnova-Baçi, ka njoftuar sot dorëheqjen e saj nga të gjitha strukturat e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe se do të vijojë të jetë anëtare e pavarur e Asamblesë Komunale.
Në një deklaratë publike, Kumnova-Baçi shkroi: "Sot kam marrë vendimin të largohem nga partia ku kam dhënë kontributin tim politik dhe njerëzor. Në Asamblenë komunale do të jem e pavarur dhe jo pjesë e AAK-së".
Ajo theksoi përkushtimin e saj gjatë katër viteve si drejtoreshë e Arsimit.
"Jam përkushtuar që shkollat të jenë paralelisht me kushte të njëjta, kam inicuar projekte që shërbejnë të mirës së përbashkët, filluam hapat e parë për digjitalizimin dhe kam trajtuar çdo sfidë me angazhim maksimal. Dera ime ka qenë gjithmonë e hapur për qytetarët, nxënësit, prindërit, mësimdhënësit dhe drejtorët e shkollave pa asnjë dallim", thuhet më tej në postim.
Sipas saj, arsyeja e largimit është e thjeshtë.
"Puna, përkushtimi dhe integriteti nuk vlerësohen, ndërsa shpërblehen antivlera dhe servilizmi. Nuk mund dhe nuk dua të jem pjesë e një dege politike që tashmë e ka humbur busullën morale dhe politike. Politika pa vlera është thjesht pushtet pa dinjitet, dhe unë zgjedh të mbetem në anën e parimeve", ka shkruar ajo.
Në fund, Kumnova Baçi falënderoi qytetarët dhe bashkëpunëtorët për mbështetjen.
"Falenderoj familjen, bashkëpunëtorët dhe votuesit e mi, për mbështetjen e pakushtë edhe në marrjen e këtij vendimi", përfundon njoftimi i Kumnova-Baçit
Ky vendim vjen në një moment kur komuniteti lokal është duke ndjekur me interes zhvillimet politike dhe të ardhmen e udhëheqjes në Gjakovë. /Telegrafi/



















































