Poezi nga: Ron Whitehead Përktheu: Fadil Bajraj

Më kanë pyetur shumë herë: “Çfarë më duhet të bëj
për t’i çuar gjërat në nivelin tjetër, për të qenë i shkëlqyer, për të qenë më i miri?”


Dhe përgjigja ime është: “Pse kërkon të jesh më i miri?
Për para? Për famë? Apo është ndonjë thirrje? Sa i vendosur
je? A je i gatshëm të dështosh e të dështosh e të dështosh dhe të
ngrihesh nga hendeku me baltë dhe të dalësh sërish në rrugë
duke u zvarritur dhe të shkosh drejt farit herë
pas here? A je i gatshëm ta shikosh vdekjen në sy
dhe të thuash: “Jo, nuk do të vij me ty ende, puna ime nuk ka mbaruar!”

A je i gatshëm të heqësh dorë nga gjithçka përveç poezisë tënde, shkrimit
tënd? A je i gatshëm të të quajnë të çmendur, të përballesh me dyer të mbyllura
ngado që t’ia mësysh? A je i gatshëm të vuash urie, të jetosh
pa shtëpi, pa askënd për t’iu drejtuar kur të pushtojnë orët
e liga? A mund t’i bësh të gjitha këto gjëra?

A i keni lexuar dhe studiuar jetën dhe veprat e poetëve dhe
artistëve të mëdhenj që ia kushtuan tërë jetën punës së tyre,
pavarësisht nga pasuria ose fama?

A i keni studiuar jetën dhe veprat e Vincent van Goghut
dhe William Blaket? Sa vepra shiti Vincent van Gogh?
Si i priti komuniteti i shkrimtarëve poezitë e Blaket?

A je i gatshëm të sakrifikosh gjithçka, të japësh veten
plotësisht, të japësh jetën, gjakun tënd, pasionin tënd, zemrën
tënde dhe shpirtin thirrjes tënde?

A je i gatshëm të studiosh dhe të punosh derisa të verbohesh
dhe të shurdhërohesh, derisa të mos mbetet asgjë prej teje përveç thelbit
të pastër të poezisë?

Nëse është kështu, atëherë unë jam me ty, atëherë bëje. Dhe mos shiko mbrapa.
Vazhdo të punosh. Bëj punën për të cilën je thirrur të bësh.

Dhe kur të vijë koha për të vdekur, shko me paqe
në zemër dhe me buzëqeshje në fytyrë.”