Java e 31-të e Ligës së Parë: Vardari dhe Struga ndahen pa fitues
Barazimi pa gola në Shkup hap javën e 31-të, ndërsa nesër Shkëndija synon kurorëzimin si kampione, dhe Besa e Dobërdollit përballet me një sfidë vendimtare për mbijetesë në Kavadar, njofton Telegrafi
Java e 31-të e Ligës së Parë të Futbollit në Maqedoni është hapur sot me përballjen ndërmjet Vardarit dhe Struga Trim Lum, dy skuadra që këtë sezon janë finaliste të Kupës së Maqedonisë. Takimi i zhvilluar në Shkup nuk solli gola dhe përfundoi me rezultatin 0-0.
Përballja, megjithëse me pak peshë në aspektin e renditjes, shërbeu si një test para finales së madhe të Kupës, duke i dhënë trajnerëve mundësinë të shohin formën e lojtarëve. Me këtë barazim, Struga Trim Lum ruan vendin e katërt me 49 pikë, ndërsa Vardari mbetet në pozitën e gjashtë me 39 pikë.
Java mbyllet nesër me tri sfida interesante, ku vëmendja kryesore do të jetë në Tetovë dhe Kavadar. Në Tetovë, Shkëndija pret Rabotniçkin, dhe me fitoren e kuqezinjve do të thotë shpallje kampioni dy xhiro para fundit të kampionatit. Tetovarët janë në formë të mirë dhe do të kërkojnë të finalizojnë sezonin me titull në shtëpi, para tifozëve të vet, të cilët shkaku i dënimit nuk do të jenë në shkallët e stadiumit, por sigurisht se afër stadiumit duke pritur rezultatin final.
Ndërkohë, Besa e Dobërdollit do të udhëtojë drejt Kavadarit për t'u përballur me Tikveshin në një duel që ka peshën e “jetës a vdekjes” për ekipin nga Dobërdolli. Çdo pikë është jetike për Besën në përpjekjet për të siguruar mbijetesën, por përballë do të ketë një kundërshtar të fortë siç është Tikveshi. Dueli tjetër që luhet nesër është i në Strumicë, ku Shkupi është mysafir i AP Brera, ekip kjo që gjithashtu është në kërkim të pikëve për të mbetur në mesin e elitës më të mirë të futbollit në Maqedoni. Të gjitha ndeshjet luhen në orarin e njëjtë, duke nisur nga ora 17:00. /Telegrafi/






























