Java e 15-të e shtatzënisë: Barku juaj tashmë po merr formë dhe bebja juaj po argëtohet në lëngun amniotik

Në javën e 15-të të shtatzënisë, vështirë se mund ta fshihni lajmin e mirë sepse stomaku juaj tashmë ka marrë formë dhe ja çfarë mund të prisni tjetër
Java e pesëmbëdhjetë e shtatzënisë është koha kur tashmë mund të zbuloni seksin e bebes suaj nëpërmjet ultrazërit dhe stomaku juaj do të tregojë qartë se jeni shtatzënë.
Çfarë ndodh me beben?
Bebja tani është 10 centimetra e gjatë nga koka deri te vithet (madhësia e një domateje) dhe peshon rreth 70 gramë. Vazhdon zhvillimi delikat i lëkurës së foshnjës, e cila është e hollë dhe transparente gjatë kësaj periudhe. Qimet lanugo kanë mbuluar trupin, vetullat janë më të theksuara dhe flokët kanë filluar të rriten, transmeton Telegrafi.
Bebja argëtohet duke shtyrë lëngun amniotik nëpërmjet hundës dhe organeve të sipërme të frymëmarrjes, gjë që ndihmon zhvillimin e mushkërive të saj. Këmbët tani rriten më shpejt dhe nyjat janë më të lëvizshme. Në këtë periudhë, ndjenja e shijes fillon të zhvillohet. Edhe pse qepallat e saj janë ende të mbyllura fort, foshnja mund të perceptojë dritën.
Ju mund të zbuloni këtë javë nëse keni një djalë apo një vajzë! (Mos u zhgënjeni shumë nëse mbetet ende sekret - dukshmëria e gjinisë së fëmijës varet nga qartësia e imazhit, por edhe nga pozicioni i foshnjës).
Tani keni prova të dukshme se jeni duke pritur një fëmijë - barku juaj është i përcaktuar qartë! Me siguri keni shtuar rreth 2 kg dhe ka ardhur koha që të filloni të vishni rroba shtatzënie.
Gjatë kësaj periudhe mund të shfaqen disa simptoma të papritura. Ndryshimet hormonale dhe rritja e qarkullimit të gjakut përmes mukozës mund të shkaktojnë rrjedhje të hundës. Ky fenomen është aq i shpeshtë gjatë shtatzënisë, saqë quhet edhe “riniti i shtatzënisë”. Gjakderdhja nga hunda mund të ndodhë edhe për shkak të zgjerimit të enëve të gjakut në hundë. Nëse vëreni se sekrecionet tuaja vagjinale kanë marrë një ngjyrë dhe erë të pazakontë, kërkoni këshillën e një gjinekologu. Infeksionet vagjinale dhe të traktit urinar janë të zakonshme gjatë shtatzënisë.
Tani ju dhe partneri juaj mund të ndiheni edhe të brengosur për shkak të shqetësimit të tepruar për shëndetin e foshnjës, si dhe frikës nga ndryshimet që ju presin.
Lajme të mira. Java e ardhshme është periudha ideale për të “lajmëruar” shtatzëninë tuaj. Nëse vendosni ta shtyni edhe pak lajmin, mos harroni se nuk do të jetë sekret për një kohë të gjatë – stomaku juaj do t'ju tradhtojë. /Telegrafi/





















































