Pijet e gazuara kanë disa përbërës që mund të jenë të dëmshëm për një shtatzënë.

Ass. dr. Memli Morina, mr. sci
gjinekolog – obstetër
tel. 045 725 725

Shumica e pijeve të gazuara kanë kafeinë. Kafeina e kalon placentën dhe depërton deri te fryti. Në doza të vogla nuk paraqet ndonjë rrezik, por kafeina e tepërt mund ta zvogëlojë qarkullimin e gjakut nëpër placentë dhe të ndikojë në rritjen e bebes.

Poashtu, në doza të mëdha e rrit rrezikun për abort.

Rekomandohet që gjatë shtatzënisë të mos merrni më shumë se 200 mg kafeinë në ditë.

Kontrolloni sasinë e kafeinës në pijet që i konsumoni; mos harroni se kafeinë ka edhe në çokollatë dhe në pijet me çokollatë.

Kafeina është edhe diuretik, që do të thotë se ju bën që të urinoni më shpesh. Rrjedhimisht, ju do të largoni nga organizmi juaj ujin dhe mineralet (si për shembull kalciumin).

Kafeina ndikon negativisht edhe në cilësinë e gjumit.

Pijet me gaz përmbajnë edhe substanca tjera si aromatizues, substanca ngjyrosëse dhe ëmbëltues artificial. Të gjitha këto substanca nuk rekomandohen gjatë shtatzënisë.

Pijet me gaz ju japin kalori, por jo edhe materie të dobishme ushqyese. Gjatë shtatzënisë ju nuk keni nevojë aq shumë për kalori, sa keni nevojë për vitamina e minerale.

Gjatë shtatzënisë rekomandohet që të pini sasi të bollshme uji dhe lëng të freskët të frutave. /Telegrafi/