LAJMI I FUNDIT:

Izraelitët dhe palestinezët po përballen me momentin e rrezikut më të madh që nga viti 1948

Izraelitët dhe palestinezët po përballen me momentin e rrezikut më të madh që nga viti 1948

Nga: Yuval Noah Harari / The Guardian
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com

Izraeli sapo ka përjetuar ditën më të keqe të historisë së vet. Më shumë civilë izraelitë janë vrarë në një ditë të vetme, sesa të gjithë civilët dhe ushtarët që Izraeli humbi në luftën e Sinait të vitit 1956, në luftën gjashtë-ditore të vitit 1967 dhe në luftën e dytë të Libanit të vitit 2006 – marrë të gjitha këto së bashku. Janë të tmerrshme historitë dhe imazhet që dalin nga zona e pushtuar prej Hamasit. Shumë prej miqve dhe anëtarëve të familjes sime kanë pësuar mizoritë e papërshkrueshme. Kjo do të thotë se tash edhe palestinezët po përballen me një rrezik të madh. Vendi më i fuqishëm në Lindjen e Mesme është i mbushur me dhimbje, me frikë dhe zemërim. Nuk kam as njohuri dhe as autoritet moral për të folur se si duken gjërat nga perspektiva palestineze. Por, në momentin e dhimbjes më të madhe të Izraelit, do të doja ta bëja një paralajmërim se si duken gjërat nga ana izraelite e gardhit ndarës.

Politika shpeshherë funksionon si eksperiment shkencor, i kryer mbi miliona njerëz, me pak kufizime etike. Provoni diçka – qoftë duke rritur buxhetin e mirëqenies, duke zgjedhur një president populist apo duke bërë një ofertë për paqe – dëshmoni rezultatet dhe vendosni nëse do të vazhdoni më tej në atë rrugë të veçantë; ose, e ndryshoni kursin dhe provoni diçka tjetër. Për dekada, kështu është shpalosur konflikti izraelito-palestinez: me prova dhe me gabime.


Gjatë procesit të paqes në Oslo, të viteve 1990, Izraeli ia dha paqes një shans. E di se nga këndvështrimi i palestinezëve dhe disa vëzhguesve të jashtëm, ofertat izraelite të paqes ishin të pamjaftueshme dhe arrogante, por gjithsesi ishin ofertat më bujare që Izraeli ka bërë ndonjëherë. Gjatë atij procesi të paqes, Izraeli ia dorëzoi Autoritetit Palestinez kontrollin e pjesshëm të Rripit të Gazës. Për izraelitët, rezultati ishte fushata më e keqe terroriste që ata kishin përjetuar deri atëherë. Izraelitët ende janë të përhumbur nga kujtimet e jetës së përditshme të fillimit të viteve 2000, me autobusët dhe restorantet e bombarduara për çdo ditë. Ajo fushatë terroriste vrau jo vetëm qindra civilë izraelitë, por edhe procesin e paqes dhe të majtën izraelite. Ndoshta oferta e paqes e Izraelit nuk ishte mjaft bujare. Por, a ishte terrorizmi e vetmja përgjigje e mundshme?

Pas dështimit të procesit të paqes, eksperimenti tjetër i Izraelit në Gazë ishte mos angazhimi. Në mesin e viteve 2000, Izraeli u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga i gjithë Rripi i Gazës, çmontoi të gjitha vendbanimet atje dhe u kthye në kufirin e njohur ndërkombëtarisht të para vitit 1967. Vërtetë, vazhdoi të vendoste një bllokadë të pjesshme në Rripin e Gazës dhe të pushtonte Bregun Perëndimor. Por, tërheqja nga Gaza megjithatë ishte hap shumë domethënës izraelit dhe izraelitët prisnin me ankth për të parë se cili do të ishte rezultati i atij eksperimenti. Mbetjet e së majtës izraelite shpresonin se palestinezët do të bënin përpjekje të ndershme për ta kthyer Gazën në një qytet-shtet të begatë dhe paqësor, në një Singapor të Lindjes së Mesme, duke i treguar botës dhe të djathtës izraelite se çfarë mund të bëjnë palestinezët kur u jepet mundësia ta qeverisin veten.

Sigurisht, është e vështirë të ndërtosh një Singapor nën një bllokadë të pjesshme. Por, mund të bëhej një përpjekje e ndershme ku do të kishte presion më të madh ndaj qeverisë izraelite, si nga fuqitë e huaja ashtu edhe nga publiku izraelit, për ta hequr bllokadën nga Gaza dhe për ta arritur një marrëveshje të ndershme edhe për Bregun Perëndimor. Në vend të kësaj, Hamasi pushtoi Rripin e Gazës dhe e ktheu atë në një bazë terroriste nga e cila nisën sulmet e përsëritura ndaj civilëve izraelitë. Një tjetër eksperiment përfundoi me dështim.

Kjo plotësisht diskreditoi mbetjet e së majtës izraelite dhe në pushtet solli Benjamin Netanyahun dhe qeveritë e tij agresive. Netanyahu filloi një tjetër eksperiment. Meqenëse bashkëjetesa paqësore kishte dështuar, e miratoi një politikë të bashkëjetesës së dhunshme. Izraeli dhe Hamasi shkëmbenin goditjet mbi bazat javore dhe pothuajse çdo vit shënonte një operacion të madh ushtarak, por – për një dekadë e gjysmë – civilët izraelitë mund të vazhdonin të jetonin qindra metra larg bazave të Hamasit, në anën tjetër të gardhit. Edhe zelotët mesianikë të Izraelit shfaqën pak zell për ripushtimin e Rripit të Gazës, madje edhe të djathtët shpresonin që përgjegjësitë e përfshira në qeverisjen e më shumë se dy milionë njerëzve, gradualisht do ta moderonin Hamasin.

E, çfarë pastaj? Askush nuk e di me siguri, por disa zëra në Izrael po shkojnë drejt ripushtimit të Rripit të Gazës ose bombardimit të tij deri në rrënoja. Rezultati i një politike të tillë mund të jetë kriza më e keqe humanitare që ka përjetuar rajoni që nga viti 1948. E, nëse forcat e Hezbollahut dhe palestinezët në Bregun Perëndimor i bashkohen betejës, numri i të vdekurve mund të arrijë në mijëra, me miliona të tjerë të dëbuar nga shtëpitë e veta. Në të dyja anët e gardhit ka fanatikë fetarë të fiksuar pas premtimeve hyjnore dhe luftës së vitit 1948. Palestinezët ëndërrojnë të ndryshojnë rezultatin e asaj lufte. Zelotët hebraikë, si ministri i Financave Bezalel Smotrich, kanë paralajmëruar edhe qytetarët arabë të Izraelit se “këtu gabimisht jeni, sepse Ben-Gurioni [kryeministri i parë i Izraelit] nuk e mbaroi punën më 1948 dhe nuk ju dëboi”; 2023-shi mund t’jua mundësojë fanatikëve, nga të dyja palët, të ndjekin fantazitë e veta fetare dhe me hakmarrje ta riinskenojnë luftën e vitit 1948.

Edhe nëse gjërat nuk shkojnë në ekstreme të tilla, konflikti aktual ka të ngjarë të vendosë gozhdën e fundit në arkivolin e procesit të paqes izraelito-palestineze. Kibucët përgjatë kufirit të Gazës kanë qenë komuna socialiste dhe disa nga bastionet më këmbëngulëse të së majtës izraelite. Njoh njerëz nga ata kibucë të cilët, pas viteve të sulmeve pothuajse të përditshme me raketa nga Gaza, ende mbaheshin pas shpresës për paqen, si pas një kulti fetar. Këta kibucë sapo janë zhdukur dhe disa nga paqësorët e fundit ose janë vrarë, ose kanë varrosur të dashurit e tyre, ose janë mbajtur peng në Gazë. Për shembull, Vivian Silver, aktivistja e paqes nga Kibuci Be’eri e cila prej vitesh gazianët e sëmurë i ka bartur nëpër spitalet izraelite, është zhdukur dhe ka të ngjarë të mbahet peng në Gazë.

Ajo që ka ndodhur tashmë, nuk mund të zhbëhet. Të vdekurit nuk mund të kthehen në jetë dhe traumat personale nuk do të shërohen kurrë plotësisht. Por, duhet të parandalojmë përshkallëzimin e mëtejshëm. Aktualisht, shumë forcat në rajon udhëhiqen nga fanatikët e papërgjegjshëm fetarë. Prandaj, forcat e jashtme duhet të ndërhyjnë për ta përshkallëzuar konfliktin. Kushdo që dëshiron paqe, pa mëdyshje duhet të dënojë mizoritë e Hamasit, të ushtrojë presion mbi Hamasin që menjëherë t’i lirojë – dhe pa kushte – gjithë pengjet dhe të ndihmojë të pengojë ndërhyrjen e Hezbollahut dhe Iranit. Izraelitëve kjo do t’jua jepte njëfarë hapësire për frymëmarrje dhe një rreze të vogël shprese.

Së dyti, një koalicion i vullnetarëve – duke filluar nga ShBA-ja dhe BE-ja e deri te Arabia Saudite dhe Autoriteti Palestinez – duhet të marrin përgjegjësinë mbi Rripin e Gazës, larg Hamasit, të rindërtojnë Gazën dhe në të njëjtën kohë të çarmatosin plotësisht Hamasin dhe të çmilitarizojnë Rripin e Gazës.

Ka pak gjasa që këta hapa të realizohen. Por, pas tmerreve të fundit, shumica e izraelitëve nuk mendojnë se mund të jetojnë me asgjë më pak se kaq. /Telegrafi/