Izraeli njofton masa për të thelluar kontrollin mbi Bregun Perëndimor

Kabineti i sigurisë i Izraelit miratoi të dielën një sërë masash të vendosura për të thelluar kontrollin izraelit mbi Bregun Perëndimor, duke hapur rrugën për zgjerim të mëtejshëm të vendbanimeve në territorin palestinez.
Territori, të cilin Izraeli e ka pushtuar që nga viti 1967, do të formonte pjesën më të madhe të çdo shteti të ardhshëm palestinez, por shihet nga shumë njerëz në të djathtën fetare si tokë izraelite.
"Kabineti i sigurisë sot miratoi një sërë vendimesh... duke ndryshuar rrënjësisht realitetin ligjor dhe civil në Judea dhe Samari", tha një deklaratë, duke përdorur emrat biblikë për Bregun Perëndimor, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Masat, të njoftuara nga ministri i Financave, Bezalel Smotrich dhe ministri i Mbrojtjes Israel Katz, përfshijnë heqjen e rregulloreve dekada të vjetra që u ndalojnë qytetarëve hebrenj të blejnë tokë në Bregun Perëndimor, sipas një deklarate të përbashkët nga dy ministrat.
Smotrich tha se masa synonte "thellimin e rrënjëve tona në të gjitha rajonet e Tokës së Izraelit dhe varrosjen e idesë së një shteti palestinez".
Reformat parashikojnë gjithashtu transferimin e autoritetit mbi lejet e ndërtimit për vendbanimet në pjesë të qyteteve palestineze, përfshirë Hebronin, nga organet komunale të Autoritetit Palestinez në Izrael.
Deri më tani, ndryshimet e ndërtimit në komunitetin hebraik të qytetit kërkonin miratim si nga bashkia lokale ashtu edhe nga autoritetet izraelite, raportoi Times of Israel, duke cituar deklaratën.
Ndërsa sipas rregullimeve të reja, ndryshime të tilla do të kërkonin vetëm autorizimin izraelit.
"Ne jemi të përkushtuar për të hequr barrierat, për të krijuar siguri ligjore dhe civile, dhe për t'u lejuar kolonëve të jetojnë, të ndërtojnë dhe të zhvillohen në kushte të barabarta me çdo qytetar të Izraelit", tha Katz në deklaratë.
Masat gjithashtu do t'u lejonin autoriteteve izraelite të administronin vende të caktuara fetare edhe kur ato ndodhen në zona nën kontrollin e Autoritetit Palestinez, tha deklarata.
Në anën tjetër, Presidenca palestineze në Ramallah e dënoi vendimin, duke thënë se ai kishte për qëllim "thellimin e përpjekjeve për të aneksuar Bregun Perëndimor të pushtuar".
Presidenca tha se "vendimet pasqyrojnë një përpjekje të hapur izraelite për të legalizuar zgjerimin e vendbanimeve, konfiskimin e tokës dhe prishjen e pronave palestineze, madje edhe në zonat nën sovranitetin palestinez".
Autoriteti Palestinez ushtron kontroll mbi disa zona të shkëputura të Bregut Perëndimor.
Njoftimi vjen disa ditë përpara vizitës së kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në Shtetet e Bashkuara, ku ai do të takohet me presidentin Donald Trump i cili ka kundërshtuar aneksimin e Bregut Perëndimor nga Izraeli. /Telegrafi/



















































