ITU Shkabaj jashtë funksionit për shkak të turbullirave të larta, priten reduktime të ujit në disa zona

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se Impianti i Trajtimit të Ujit (ITU) në Shkabaj është aktualisht jashtë funksionit, si pasojë e nivelit shumë të lartë të turbullirave në kanalin Ibër–Lepenc, të shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut.
Sipas njoftimit të publikuar nga KRU “Prishtina”, kjo situatë ka ndikuar drejtpërdrejt në furnizimin me ujë të pijes në disa komuna dhe zona të kryeqytetit.
“ITU Shkabaj është jashtë funksionit për shkak të nivelit të lartë të turbullirave në kanalin furnizues Ibër–Lepenc. Për orarin e reduktimeve do t’i njoftojmë konsumatorët në vijim”, thuhet në njoftimin e kompanisë.
Zonat që pritet të preken nga reduktimet e furnizimit me ujë janë Fushë Kosova, Drenasi, Obiliqi, si dhe një pjesë e lagjes Kalabria në Prishtinë. Po ashtu, KRU “Prishtina” paralajmëron se ndikime dhe reduktime të furnizimit mund të ketë edhe në zona të tjera të kryeqytetit.
Nga kompania bëhet e ditur se ekipet teknike janë të angazhuara në terren dhe po monitorojnë situatën në mënyrë të vazhdueshme.
“Furnizimi me ujë do të rikthehet menjëherë sapo të stabilizohen parametrat në kanalin furnizues. Kërkojmë ndjesë qytetarëve për shqetësimet e shkaktuara, të cilat janë pasojë e kushteve natyrore”, thuhet më tej në njoftim.
Ndërkohë, KRU “Prishtina” ka bërë të ditur se impiantet e tjera të trajtimit të ujit, ITU Albanik dhe ITU Badoc, janë duke operuar me kapacitet maksimal për të minimizuar ndikimin në furnizim. /Telegrafi/



































