Ish-engjëlli i Victoria's Secret, Karolina Kurkova, po rikthehet fuqishëm në skenën e modës, duke dëshmuar se eleganca dhe bukuria nuk kanë moshë.

41-vjeçarja bëri një paraqitje të jashtëzakonshme këtë javë në premierën e filmit “Freakier Friday” në Los Angeles, ku spikati me një fustan të shkurtë jeshil, taka elegante dhe një çantë të stiluar që tërhoqën vëmendjen e të gjithëve.


Karolina, e cila filloi karrierën në modë në moshën 15-vjeçare, u bë një nga modelet më të njohura në botë, duke pushtuar kopertinat e Vogue dhe pasarelat ndërkombëtare.

Megjithatë, ajo mori një pauzë për t’iu përkushtuar familjes, duke rritur tre fëmijët e saj me bashkëshortin Archie Drury.

Tashmë që fëmijët janë rritur, Kurkova është kthyer në punë me energji të re dhe nën menaxhimin e agjencisë Ford Models.

Në një intervistë të sinqertë për DailyMail.com, modelja rrëfeu sfidat e jetës dhe karrierës. Ajo foli për fillimet e saj të vështira në industri, ndjesinë e çuditshme të të pozuarit me të brendshme në moshë të re, si dhe përballjen me një sëmundje autoimune të tiroides – Hashimoto – që ndikoi në trupin dhe mirëqenien e saj.

“Nuk e mendova kurrë se do të bëhesha kaq e famshme. Më lë pa fjalë se çfarë karriere kam pasur fatin të kem”, u shpreh ajo.

Edhe pse fillimisht iu tha se “hunda e saj ishte shumë e mprehtë” apo se “këmbët ishin shumë të gjata”, ishte Anna Wintour ajo që i pa potencialin dhe e shtyu drejt majave.

Sot, Karolina është një grua që flet me krenari për rrugëtimin e saj, sfidat personale dhe kthimin në botën e modës me pasion të pandryshuar.

“Jam e emocionuar të jem sërish pjesë e industrisë, tani që kam më shumë kohë për veten dhe projektet që dua me të vërtetë”, tha ajo, duke e mbyllur me një mesazh frymëzues për të gjitha gratë që nuk dorëzohen përballë sfidave. /Telegrafi/