Ish-presidenti i Shqipërisë Nishani me kritika të ashpra për institucionet, pas vrasjes së Klodian Rashës

Ish-presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani e ka quajtur krim të rëndë e makabër vrasjen e 25-vjeçarit, Klodian Rasha nga një zyrtar policor disa ditë më parë, ndërsa shtoi se kjo vrasje është vrasje shtetërore.
Nishani përmes një postimi në Facebook, ka kritikuar ashpër institucionet shtetërore e të sigurisë në Shqipëri për shkak të kësaj ngjarjeje.
“Ky krim për familjen e të ndjerit do të jetë një plagë që nuk do të mbyllet kurrë për gjithë jetën e tyre, ndërsa për shoqërinë një moment reagimi përtej emocioneve dhe ndjeshmërisë ditore”, thuhet në reagimin e tij.
Postimi i plotë:Vrasja pas shpine e 25 vjeçarit, Klodian Rasha është padyshim një krim i rëndë e makabër. Ky krim për familjen e të ndjerit do të jetë një plagë që nuk do të mbyllet kurrë për gjithë jetën e tyre, ndërsa për shoqërinë një moment reagimi përtej emocioneve dhe ndjeshmërisë ditore. Eshtë e vërtetë se vrasje policore ndaj qytetarëve kanë ndodhur e ndodhin në vende të ndryshme të botës. Po ashtu është i vërtetë parimi se përgjegjësia për një krim është individuale dhe jo në çdo rast, vrasja prej një polici është vrasje shtetërore. Rasti i ekzekutimit të Klodianit është një rast i rëndë i një vrasje shtetërore. Jo, pse ekzekutimi erdhi prej armës qeveritare, as pse mund të besohet që urdhërin për ekzekutim e ka lëshuar ministri i brendshëm ! Por ka fakte kokëforta dhe publike që ajo është një vrasje shtetërore. Jo një por disa. Çka është thelbi i përkatësisë së këtij ekzekutimi, nuk është emocioni, mostrajnimi, frika, nxitimi, gabimi apo tjetër cilësi e pavullnetshme e një punonjësi rastësor policie. Jo ! Thelbi i analizës publike është motivimi i ekzekutorit. Injektimi i motivimit tek ajo qënie e veshur me uniformë për të qenë i gatshëm edhe për të ekzekutuar qytetarin nëse nuk i bindet pushtetit politik. Ky është prologu i analizës së këtij krimi makabër ! Motivimi i krijuar me investim të fortë politik e institucional ! Investimi politik që e ka pregatitur këtë polic të veprojë edhe për të ekzekutuar një qytetar në pragun e shtëpisë së vet. Akti i parë me policinë, që kreu kjo qeveri sapo erdhi në pushtet ishte minimi i ligjit organik të policisë së Shtetit, pikërisht në aspektin e politizimit të saj . Milionat e shpenzuara prej ekspertizës ndërkombëtare për hartimin e atij ligji e më tej për komportimin operacional, u hodhën në koshin e plehrave ! Gjithkush e kujton gjuhën tinzare që nisi të imponohej mbi trupën e Policisë së Shteti ; “çunat tanë”, “bravo çuna”, .... nuk ishin një zhargon batutash, por projektimi i gjenit të policisë së partisë në vend të Policisë së Shtetit. Punonjësit e policisë me shërbim prej 20-30 vitesh në polici u margjinalizuan, u fyen, u tradhëtuan dhe shiteshin tek grupet kriminale. Ish funksionarë të lartë të përjashtuar më parë nga policia për bashkëpunim me grupet kriminale më të rrezikshme të vendit, u rikthyen në postet komanduese e vendimarrëse të policisë. Paralelisht, partnerët e tyre nga bota e krimit nisën të lirohen çuditërisht nga burgjet, megjithëse të dënuar përjetë kur këta policë të korruptuar u përjashtuan nga policia. Qartësisht dukej një dorë që projektonte e lëvizte të gjithë këtë llum që gatuhej e hidhej mbi këtë shtet. Dora e një pushteti absolut që nuk duronte e as pranonte pengesa e kundërshti ndaj modelit të tij. Rekrutimet në polici gjatë 7 viteve të fundit janë bërë vetëm mbi një kriter ! Gadishmëria për të rrahur, dhunuar e vrarë këdo qytetar që do të guxojë të rrezikojë pushtetin. Përzgjedhja politike është shoqëruar me një platformë të injektimit të ideologjisë së urrejtjes ndaj kujtdo që është kundër qeverisë . Të gjithë e kujtojmë se si Policia u kap duke përdorur mjete ilegale të përgjimit të fshehtë. Në vend të veprimit të ligjit, policia dhe ministri i kohës luanin komedi e talleshin me shtetin e qytetarët publikisht ! Morali që ushqente policinë ishte ; antiligji, ilegalja, dhunimi ! Të gjithë pamë se si oficeri i policisë, Zagani u përndoq, burgos nga qeveria e madje rrezikoi ekzekutimin, për faktin se tentoi të godiste ortakërinë në trafikun e drogës midis pushtetit dhe krimit të organizuar. Ndërsa garantuesit e paprekshmërisë së këtij bashkëpunimi promovoheshim si drejtorë policie, paçka se një ditë u arratisën e fshehën drejtësisë Të ekzekutosh një djalë të ri, në pragun e shtëpisë së vet, pse e kaloi atë prag pas orës së mbrëmjes që i është tekur ta caktojë ashtu qeveria, duket si çmënduri ! Në fak gjithkush e mban mend mirë se si qeveria urdhëroi daljen në rrugët e kryeqytetit të tankeve e autoblindave me armatim të rëndë për të garantuar ndalimin e qarkullimit të qytetarëve nga pandemia. Nuk ishte parë në asnjë vend të botës kjo sjellje qeveritare ! Mesazhi ishte për qytetarët. Ata edhe mund të ekzekutohen nga armët nëse shkelin urdhërat e qeverisë !!!!!! Të gjithë pamë me zë e figurë se si 5-6 policë i kërcyen sipër një fëmije të parritur mirë, pranë digës së liqenit, e rrihnin tek i thyenin me shkelma të vetmen pasuri e ndoshta pasion që kishte ai i ri, biçikletën ! Kryeministri i vetëm në periudhën post diktaturë në Shqipëri që në takime pune publike me policinë e shtetit, sulmonte, fyente e kërcënonte opozitën politike të vendit. Pak më tej, urdhëronte policinë të hiqte kapelet pasditet e fushatës elektorale e të mblidhnin vota për qeverinë ! Egërsia e dhunës mbi artistët e ngujuar tek Teatri Kombëtar, rrahja brutale pa ditur pse, e gazetarëve dhe studentëve universitarë që adhuronin teatrin dhe trashëgiminë kulturore, konfirmoi se gjeni i ri i policisë që motivohet nga urrejtja ishte formësuar. Kushdo që përpiqet të gjej arsyetime relativizuese nga ekzekutimit makabër i një të riu në pragun e shtëpisë së tij, me plumba pas shpine, tenton më kot ! Sot, është më e qartë se kurrë për çdo shqiptar, kudo në çdo cep të botës që ndodhet. Problemi është helmi i urrejtjes që është injektuar nga pushteti tek resursi policor i rekrutuar në 7 vitet e fundit. Urrejtja ndaj qytetarëve, urrejtja ndaj studentëve, urrejtja ndaj artistëve, urrejtja ndaj opozitës, urrejtja ndaj hallexhinjve, urrejtja ndaj gjithkujt që duhet t’i nënshtrohet frikës ndaj dhunuesit që vjedh e grabit çdo ditë e që nuk do shqetësim në këtë llum ku është zhytur. Kjo urrejtje djallëzisht e projektuar në gjenin e një policie që edhe të vret po ti kthesh shpinën qeverisë ! Krimi makabër i 8 dhjetorit 2020, i ka vulosur një imazh qeverisjes aktuale. Vrasëse ! Ikja me turp e ministrit të brendshëm, është veçse kurbani i rradhës për të fshehur infeksionin masiv që kjo qeveri i ka shkaktuar një shoqërie të tërë. Por edhe ajo vetë e di mirë se zgjidhja nuk vjen me kurbane pa vlerë ! E keqja reale njihet nga kushdo se ku është ! Ajo duhet shkulur me rrënjë dhe rrënja është e thellë, me oligarkë, me gjobvënës, me zhvatës, me vrasës e trafikantë. Ky ekzekutim, familjes Rasha i ka hapur një plagë përjetë. Shoqëria e tërë duket e tronditur dhe reaguese. Epilogu i këtij ekzekutimi është larg. Drejtësia është më e para. Por skenografia e epilogut ka nisur të duket. Ka mbërritur momenti i bumerangut ! Frika e shpërfillur po derdh urrejtjen që nuk mbaron shpejt. /Telegrafi/



































