Ish-pjesëtarit të MPB-së së Serbisë i vazhdohet paraburgimi për dy muaj në rastin e rrëmbimit të Milan Vukashinoviqit

Gjykata Themelore në Mitrovicë ia ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj ish-pjesëtarit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, V.M., i cili dyshohet për përfshirje në rrëmbimin dhe plagosjen e Millan Vukashinoviqit, rast që kishte ndodhur më 1 nëntor të vitit të kaluar.
Zëdhënësja e Gjykatës së Mitrovicës, Hateme Haxhaj, ka bërë të ditur se me kërkesë të Prokurorisë Themelore, paraburgimi për të pandehurin është vazhduar nga data 19 janar 2026 deri më 19 mars 2026.
V.M. ishte arrestuar nga Policia e Kosovës në dhjetor të vitit 2025, në kuadër të një operacioni të përbashkët me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, në zonën e Leshakut.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kishte njoftuar se i dyshuari kishte qenë më herët pjesë e Policisë së Kosovës, ku ishte integruar sipas marrëveshjes së vitit 2013, por më pas kishte dhënë dorëheqje.
Sipas autoriteteve, ekzistojnë dyshime se i arrestuari ka bashkëpunuar vazhdimisht me strukturat e sigurisë së Serbisë dhe ka qenë i përfshirë në rrëmbimin e Millan Vukashinoviqit, i cili gjatë këtij akti ishte plagosur rëndë dhe aktualisht po trajtohet në një spital në Serbi.
Autoritetet kosovare kanë bërë të ditur se Vukashinoviq dyshohet se ka pasur kontakte me strukturat e inteligjencës dhe ushtrisë së Serbisë, si dhe se ka qenë në dijeni për përgatitjet e sulmit terrorist në Banjskë.
Pas urdhëresës së Gjykatës, janë bastisur shtëpia dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit, ku janë sekuestruar disa telefona celularë, një laptop, dokumente, një pushkë gjuetie me municion, pajisje për armë dhe pjesë të armëve.
Milan Vukashinoviq, shtetas i Republikës së Kosovës me nacionalitet serb, dyshohet se është plagosur dhe rrëmbyer brenda territorit të Kosovës, në afërsi të Leposaviqit, nga struktura të sigurisë së Serbisë.
Rasti ka nxitur reagime të vazhdueshme nga institucionet e Kosovës, të cilat kanë akuzuar Serbinë për veprime destabilizuese dhe shkelje të integritetit territorial të vendit.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të rrisë presionin ndaj Serbisë dhe të ndërmarrë masa konkrete ndëshkuese, me qëllim parandalimin e incidenteve të ngjashme dhe ruajtjen e stabilitetit në rajon.



















































