Ish nënkryetari i Barcelonës, Jordi Mestre, ka bërë një deklaratë tronditëse duke thënë se Lionel Messi dhe familja e tij janë ende jashtëzakonisht të zemëruar me presidentin aktual të klubit, Joan Laporta.

Sipas tij, familja e Messit ende s’e ka falur Laporten se e bëri argjentinasin të largohet në vititn 2021, shkaku i problemeve financiare të klubit katalunas.


“Çfarëdo që të bëjmë për të, do të jetë shumë pak. Ajo që na ka dhënë Messi është e pabesueshme – jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe në atë financiar”.

“Turnet me Messin ishin një gjë, turnet pa të ishin krejt tjetër. Është e vërtetë që ai kishte një pagë shumë të mirë, por e meritonte plotësisht. Për më tepër, ai i solli klubit shumë fitime”.

“Shumë lojtarë të mëdhenj erdhën në Barcelonë sepse donin të luanin me Messin. E di nga burime të treta se Leo dhe familja e tij janë ende shumë, shumë të zemëruar me Laportën. Shumë të zemëruar. Ajo që tha Laporta për ‘barbecue’-n? Kemi parë gjëra të tilla më parë”.

“Nuk e di se çfarë planesh kanë tani, por mendoj se çfarëdo që të bëjmë për Messin, nuk do të mjaftojë. Unë do të bëja diçka historike për të. Nuk po them domosdoshmërisht një statujë, por pse jo diçka si ‘Tribuna Leo Messi’, që emri i tij të përcillet brez pas brezi”.

Mestre foli edhe për largimin e Neymarit, duke zbuluar se Messi kishte kërkuar që braziliani të kthehej në Barcelonë.

“Më vjen shumë keq që puna me Neymarin nuk funksionoi, sepse ai ishte një lojtar jashtëzakonisht i talentuar. Brenda planeve tona, ai duhej të ishte, për ta thënë kështu, pasuesi i Messit. Dhe Leo e donte përsëri në skuadër, ma ka thënë vetë: ‘E dua Neymarin mbrapsht’. Dhe e kuptoj pse – ata funksiononin në mënyrë të përkryer bashkë”.

“Kur Messi duhej t’i bënte të gjitha vetë, ishte një histori tjetër, por kur ishin Messi dhe Neymar bashkë, gjithçka ndryshonte”, shtoi ai./Telegrafi/

telegrafi sport app