– Rrëfime tronditëse në librin Magazina 18 të autorëve Simone Cristicchi dhe Jan Bernas –
Përgatiti: Shpendi Topollaj
Gjithmonë regjimet me ideologji ekstreme, ua vështirësojnë tmerrësisht jetën qytetarëve të tyre. Por, jo më të pakta janë edhe përjetimet e atyre, që fati historik i hodhi në mes të dy çakejve: regjimit fashist dhe atij komunist, sikundër përshkruhet në librin Magazina 18 i cili na jep dëshmi tronditëse të italianëve të mërguar nga Istria, Fiume [Rijeka] dhe Dalmacia. Nga mendja brilante e filozofit Friedrich Nietzsche kanë dalë fjalët: “Të jetuarit është vuajtje, të mbijetuarit është gjetja e një kuptimi për vuajtjet”. Ky është edhe synimi i autorit Simone Cristicchi – fituesit të festivalit të Sanremo-s, me këngën Do të të dhuroj një trëndafil – me gazetarin Jan Bernas teksa rreken të pasqyrojnë, nga të mbijetuarit, në formë rrëfimesh dhe ditari jokronologjik, atë që ngjau me atë popullsi që, edhe pse në trojet e veta, mbeti si mollë sherri mes Italisë qysh nga Mussolini e Jugosllavia e Titos.
E gjithë tragjedia e tyre luhet nën regjinë e Fuqive të Mëdha dhe, më pas, nën indiferencën e tyre pasojat e dhimbshme që vendimet e marra sollën. Pretendimet e palëve u zgjidhën me favorizimin e sllavëve që u quajtën fitues, në kurriz të atyre që edhe pse ishin njerëz të thjeshtë, u damkosën si humbës duke harruar se fituesit ishin edhe më të egër, pasi është plotësisht ashtu sikurse thoshte Ronald Reagan: “Vetëm në dy vende mund të funksionojë komunizmi, në parajsë, ku s`u nevojitet, dhe në ferr ku tashmë e kanë”.
Dhe, për ta parë këtë ferr, mjafton të futesh brenda Magazinës 18, numër i kobshëm gjaku ky, sipas letrave napolitane. Se, kur futesh aty, nuk ka se si të të mos ngjallin aq e aq kujtime të hidhura ato rraqe të vjetra, hedhur rrëmujshëm prej një kohe të gjatë dhe të brejtura nga minjtë e nga molat, por që edhe ashtu si janë flasin me gjuhën e asaj që ka ndodhur.
Ato familje dhe ata njerëz, shtëpitë e shumë prej të cilëve u ndanë më dysh pasi gjysma i takonte Italisë e tjetra Jugosllavisë, mbetën edhe vetë të dyzuar pasi nuk dinin nga t`Ia mbanin, sidomos në pështjellimin që pasoi pas prishjes së komunistëve titistë me Stalinin ku dhe vetë populli i këtij vendi u nda më dysh.
Dhe, nga ai vend ku shpata e hakmarrjes dhe e luftës së klasave binte mbi popullin e vet, nuk kishe sesi të prisje sjellje të drejtë, fisnike e humane ndaj italianëve që kishin mbetur. Goli Otoku me tmerret e tij që nuk kursente as qytetarët e Federatës të Jugosllavisë, as që i llogariste “bashkëpunëtorët” e fashizmit, sikurse quheshin qytetarët e pafajshëm italianë, gjithsesi të çoroditur politikisht ose dhe fare të painteresuar për të.
Në atë kohë histerie dhe të gjoja entuziazmit revolucionar të klasës së re proletare, që sipas dëshmisë së vajzës së re, Maries, “ishin njerëz që vinin nga pylli, të palarë e të veshur keq dhe që në godinën e Bankës Italiane rrisnin pula e në vaskën e banjos kultivonin majdanoz. Nuk dinin se ç`ishte tualeti, vaska e banjos apo bideja”, nuk ishte për t’u çuditur përse, nisur nga instinkti i kriminelit, jo vetëm që i diskriminonin apo i dëbonin, por edhe i hidhnin burrat dhe gratë nëpër humnera.
Të burgosurit pa asnjë arsye i shkatërronin jo vetëm fizikisht, duke i shndërruar në skelete Mat`hauzeni, por edhe moralisht, aq sa i detyronin të mos deklaronin të vdekurit, për një lugë supe lëngëtyrë, apo të keqtrajtonin, të kallëzonin e deri të linçonin mes dy rreshtash njëri-tjetrin. Ende me tmerr zonja Nella Osso kujton: “Ishim të trembur. Herë pas here partizanët e vjetër na thoshin: ‘Ka akoma vende të lira, në honet karstike’”.
Në libër janë të shumta rastet e mizorive sllave, që për ne shqiptarët nuk janë të panjohura historikisht, por këtu nuk lihet pa kujtuar se po me poshtërsi u sollën edhe këmishëzinjtë që në zbatim të orientimit të Duçes se “do të ndjekim politikën e dorës së fortë, pa toleruar askënd”, i vunë flakën Hotel “Ballkanit” në Trieste të cilin ata e kishin si zemrën e qendrës kulturore, çka solli thyerjen e parë mes dy vendeve, atë të Friuli-Venecia Xhulia.
Një dëshmitare e atyre ngjarjeve, pohon se sllavët, pasi i arrestuan dhe hipën në kamion shtatë pjesëtarë të familjes, ku nata i gëlltiti, e lidhën edhe atë me tel me gjemba dhe pasi e shëtitën, duke e tërhequr zvarrë mes thirrjeve “vdekje-vdekje”, e nxorën edhe atë në gjyq të cilin ia bënin të ashtuquajturit gjyqtarë të popullit, ish-bujq të babait të saj. Për ta, ajo ishte dyfish “armike”; edhe si italiane edhe si e pasur. E dënuan me vdekje, por për habi ia kthyen dënimin me burgim në birucat mesjetare.
Në këtë libër arrihet në konkluzionin se “Jugosllavia, në gadishullin e Istrisë (që për ironi në gjuhë etruske, do të thotë valltar), nxori në pah nacionalizmin më të egër e më vrastar që mund të mendohej ndonjëherë”. Dhe pastaj vijon çudia: edhe kur kthehen disa prej tyre në Itali, sindikatat, me influencë komuniste, i presin me thirrjet: “Fashistë, zhdukuni që këtu”! “Jeni të gjithë kriminelë”! Dhe, ky qëndrim i ndoqi gjatë, si në rrugë, ashtu edhe në shkollë, apo në ndonjë punë të rëndomtë që mund t`u jepej. Por, kishte dhe shumë nga ata që meqenëse vinin nga Jugosllavia, i quanin komunistë, kurse në Jugosllavi, fashistë?!
Dhe kur të ikurit nga tokat dalmate, fiumane e istriane, në vitet 1943-‘54, shkonin e trokisnin në shtëpitë e tyre, i prisnin me përbuzje dhe i përzinin duke u thënë: “Po ju ç’doni këtu”? Nga mospasja, nënat ktheheshin në lypse, pasi edhe nëpër ato kampet mjerane ku i kishin grumbulluar, drejtori i shiste ushqimet e ardhura për refugjatët, pa harruar se edhe disa gra që kalonin aty pari i trembnin fëmijët: “Do të të hanë refugjatët”. Dhe kujt ia bënin këtë?! Është e dhimbshme ta thuash: asaj gruas që kishte marrë me vete edhe qepujka, për të mbjellë zambakë në vendin e saj.
Nuk po zgjatem më tej, veç po citoj mesazhin e këtij libri: “Pranimi botërisht i së vërtetës, edhe pse e pavolitshme, është e vetmja mënyrë për të ndarë idealet e mira, nga veprimet e dënueshme. Për të përkujtuar një ngjarje, fillimisht duhet njohur e vërteta. Dhe, kjo e fundit njihet, duke dëgjuar edhe me zemër, jo vetëm me veshë”. Se, masakrat nuk kanë ngjyra politike, thjesht janë të lyera me gjak. Dhe, ky mesazh vlen për të gjithë refugjatët e botës, gjë për të cilën në poezitë shoqëruese të librit, përsëritet si refren: “Është Urdhëresa e 11-të”! “Mos harro”. Krahasimet me ne, bëjini vetë! /Memorie.al/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëFjalimi i Shaban Polluzhës dhe Mulla Ilaz Brojës në Sanxhak, në vjeshtën e vitit 1941
Lamtumirë Adem
Fjalë të urta popullore: Mos i beso burrit që qan, kalit që djersitet dhe gruas që betohet!
Thënie të Sami Frashërit: Duhen shumë mend që të mund shoqërohesh me njerëz pa mend!
Do të doja që librat e mi të botoheshin pas vdekjes
Dita kur Britania i shpalli luftë Gjermanisë
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
Më të lexuarat
"E ka mësuar dhoma e rrëfimit çfarë të bëjë", Gresa godet produksionin e BBVK?
A po keqpërdorën punëtorët e Bangladeshit nga kompanitë në Kosovë?
“Ti je si qen i vogël”, përplasje e ashpër mes Xuxit dhe Drilonit
Vogëlushi shqiptar që kaloi sigurimin në "Santiago Bernabeu" dhe mori përqafimin dhe fanellën e Kylian Mbappe
Balje: Nuk e votoj Kurtin e asnjë qeveri pa u plotësuar kushtet e boshnjakëve
Haradinaj i ashpër me Gërvallën: Një bandite ordinere që s’e di çfarë flet