LAJMI I FUNDIT:

Intervistë me Bernard Challandes: Nga ndeshja më e ‘çmendur’ te Kosova deri tek kualifikimi i mundshëm për në botëror dhe lojtarët e preferuar te Dardanët

Intervistë me Bernard Challandes: Nga ndeshja më e ‘çmendur’ te Kosova deri tek kualifikimi i mundshëm për në botëror dhe lojtarët e preferuar te Dardanët

Ishte 2 mars i vitit 2018, kur Bernard Challandes ateroi në aeroportin ndërkombëtar ‘Adem Jashari’ dhe po atë ditë u zyrtarizua si trajner i ri i Kosovës.

Për gjithë shqiptarët, Challandes nuk ishte ndonjë emër shumë i njohur, por as nuk prisnin diçka shumë të madhe, pasi ishin të dëshpëruar me rezultatet negative të Dardanëve.


Megjithatë zvicerani erdhi te Kosova dhe ndryshoi rrënjësisht fytyrën e Përfaqësueses, duke marrë tri fitore radhazi.

Dardanët kishin fituar në Francë ndaj Kombëtareve si Madagaskar dhe Burkina Faso, para se të luhet miqësorja me Shqipërinë në Zurich, ku Kosova triumfoi me rezultat 3-0.

Që nga ajo ndeshje entuziazmi u rikthye në Kosovë ku mijëra tifozë prisnin me orë në rend për të siguruar një biletë.

69-vjeçari ka ndryshuar shumë gjëra te Kosova në 28 ndeshje sa ka drejtuar Dardanët deri më tani.

Me teknikun zviceran në pankinë, Dardanët kanë fituar 12 takime, kanë barazuar në shtatë të tjera dhe kanë humbur nëntë të tjera.

E për aventurën e tij në Kosovë, trajneri zviceran ka folur në një intervistë për Telegrafin.

Zvicerani ka folur për shumë gjëra, vitin 2020 që e konsideroi si të keq, infektimin me COVID-19, ndeshjen më të ‘çmendur’ si trajner i Kosovës dhe gjasat e Dardanëve për kualifikim në Botëror.

Telegrafi: Viti 2020 ishte i vështirë për Kosovën. Si e përjetuat ju?

Challandes: Viti 2019 ishte një vit shumë i mirë, 2020 ishte i keq. Si trajner duhet të jem i gatshëm për të gjitha situatat. Unë isha i zhgënjyer, por ne mund të mësojmë nga problemet. Unë gjithmonë kërkoj për të gjetur ndonjë gjë pozitive nga çdo situatë. Që do të thotë, ne e kemi parë ekipin tonë gjithashtu në situatë të keqe dhe duhet të mësojmë se si të reagojmë për të ardhmen dhe të jemi të gatshëm të sakrifikojmë më shumë kur të përballemi me këtë lloj vështirësie.

Telegrafi: Në cilën ndeshje Kosova ka mundur të bëjë më mirë dhe nëse do të kishte mundësi cilën do ta riluaje?

Challandes: E qartë, loja kundër Maqedonisë së Veriut. Ishte loja më e rëndësishme për ne dhe e humbëm. Unë mund të pranoj që ndonjëherë gjërat nuk shkojnë në mënyrën e duhur ose siç presim, por gjithsesi më dhemb të pranoj që ishte pikërisht kjo ndeshje në të cilën nuk mund të ishim në maksimumin tonë. Sepse nëse do të ishim në maksimumin tonë, jam i sigurt se do të arrinim fitoren dhe ndoshta kur do të bënim një përmbledhje sot, do të flisnim për pritjet në Euro 2021.

Telegrafi: Në cilat pozita keni nevojë më shumë për futbollistë? A e keni ndonjë emër specifik që do të mund ta përmirësonte ekipin?

Challandes: Në futbollin modern, skuadrat më të mira kanë sulmuesit më të mirë. Unë nuk jap emër specifik, por është e qartë se ne ndjekim të gjithë kandidatët e mundshëm në këtë pozicion. Sidoqoftë, kjo nuk do të thotë që ne po ndjekim lojtarë vetëm në këtë pozicion, sepse po ndjekim shumë lojtarë të tjerë që mund të bashkohen me ekipin tonë në të ardhmen e afërt.

Telegrafi: Cili është lojtari që e pëlqeni më së shumti në skuadrën aktuale që keni dhe mund të bisedoni me të edhe përtej sportit?

Challandes: Si trajner, më pëlqen ekipi im dhe nuk mund të jem i lidhur vetëm me një lojtar specifik. Pra, nëse më duhet të përmend një lojtar që më pëlqen në ekipin tonë, mund të jenë të gjithë, nga Ujkani te Nuhiu.

Telegrafi: Na flitni pak për periudhën kur ishit të infektuar me COVID-19? Shqetësimet tuaja, përjetimi i familjes apo i futbollistëve, pasi u infektuat gjatë grumbullimit me Kombëtaren?

Challandes: Unë kam qenë i infektuar, por jo i sëmurë. Vetëm se koha kur nuk munda ta udhëheq skuadrën ishte e vështirë. Unë isha i mërzitur që nuk isha me skuadrën gjatë kësaj kohe. Por është më e turpshme kur një lojtar është i infektuar, pasi kemi nevojë për të gjithë lojtarët e mirë.

Telegrafi: Gjatë këtij viti u grumbulluan dy futbollistë nga Superliga e Kosovës, ku Mirlind Daku u inkuadrua në lojë miqësore, ndërsa Armend Thaqi në atë zyrtare. Na thoni a ka emra të tjerë që mund të grumbullohen nga elita e futbollit kosovar?

Challandes: Dera e Kombëtares është e hapur për çdo lojtar. Daku dhe Thaqi e kanë merituar të jenë me ekipin. Do të jetë e njëjta gjë për secilin lojtar që jep paraqitje të mira me klubin e tij, nuk ka rëndësi nëse ai luan në Kosovë apo ku, por gjithashtu, ne duhet të kemi parasysh konkurrencën për pozicionin e caktuar dhe të jemi të vetëdijshëm për nivelin.

Telegrafi: Shorti për kualifikimet e Kampionatit botëror është hedhur dhe Kosova ka në grup Spanjën, Greqinë, Suedinë dhe Gjeorgjinë? A duhet të ëndërrojmë kualifikimin në Botëror?

Challandes: Ne gjithmonë duhet të ëndërrojmë, edhe nëse është tepër e vështirë të kualifikohemi për Kupën e Botës. Sidoqoftë, nuk do të thotë që ne nuk do të ëndërrojmë dhe nuk do të punojmë për të arritur ëndrrën tonë. Por ne nuk mund të zhgënjehemi nëse nuk do ta arrijmë ëndrrën, sepse në fund qëllimi ynë është të vazhdojmë të përparojmë dhe ky është qëllimi ynë kryesor edhe për kualifikimet tjera.

Telegrafi: Cila është ndeshja më e ‘çmendur’ që e keni përjetuar si trajner i Kosovës?

Challandes: Ishte ndeshja kundër Anglisë në Southampton. Ne kishim shënuar në fillim, dhe pastaj ishte e tmerrshme deri në pushim. Por më pas, ekipi tregoi një reagim të mrekullueshëm. Unë isha shumë krenar për ekipin me mënyrën se si kemi luajtur dhe mënyrën se si kemi reaguar në pjesën e dytë.

Telegrafi: Ndeshja më e mirë dhe më e keqe si trajner i Kosovës?

Challandes: Më e mira ishte kundër Republikës Çeke në Prishtinë dhe më e keqja kundër Maqedonisë së Veriut. Jo vetëm për shkak të rezultatit, por sepse kurrë nuk e kam parë shpirtin luftarak të ekipit tonë.

Muriqi duke festuar golin ndaj Çekisë në Prishtinë

Telegrafi: Cili nga futbollistët aktual mendon të Kosovës mendon që ka të ardhme si trajner dhe mund ta drejtoj Kombëtaren pas disa vitesh?

Challandes: Ka disa lojtarë që me siguri do të jenë trajnerë në të ardhmen dhe do të ishin në gjendje të udhëheqin Kombëtaren e Kosovës, nuk mund ose më mirë të them, nuk dua t’i përmend tani, por shoh potencialin e disa lojtarëve të cilët do të ketë një karrierë të mirë si trajner.

Telegrafi: Çfarë të pëlqen më shumë kur jeni në Kosovë?

Challandes: Të luajmë në Prishtinë me tifozët tanë fantastikë. Mbështetja dhe entuziazmi i Dardaneve! Ndoshta përtej disa lojtarëve kjo ishte gjëja më e rëndësishme që kemi humbur gjatë vjeshtës së kaluar.

Telegrafi: Më shumë të pëlqen qetësia zvicerane apo entuziazmi i kosovarëve?

Challandes: Më pëlqejnë te dyja. Si trajner, duhet të qëndroj i qetë, por kam nevojë për entuziazmin e çmendur të kosovarëve, sepse kjo i jep një tjetër atmosfere ekipit dhe të gjithë neve.

Telegrafi:Ushqimet që ju pëlqejnë në Zvicër dhe ato në Kosovë?

Challandes: Në Zvicër, më pëlqejnë ushqimet me djathë. Në Kosovë, më pëlqen mishi

Telegrafi: A i ndiqni zhvillimet politike në vendin tonë?

Challandes: Po, përpiqem ti ndjek, sepse më pëlqen Kosova dhe dua të di se çfarë ndodh në vendin që më pëlqen, por kurrë nuk flasim për politikë me ekipin.

Telegrafi: Ishim në Plzen të Çekisë dhe shumë pranë̈ kualifikimit për në evropian dhe pyetja ime ishte ‘A pret një shtatore në Prishtinë’? Tani po të pyes përsëri, a pret një shtatore në të ardhmen të ndërtohet në Prishtinë nëse e dërgon Kosovën në Kampionatin botëror ose atë evropian?

Challandes: Nëse mund të zgjedh një statujë në Prishtinë ose kualifikimin për në Katar. Pa dyshim, unë do të zgjedh një kualifikim pa statujë. Unë jam vetëm një trajner futbolli dhe kurrë nuk pres një statujë për mua. Sidoqoftë, nëse kjo është si një kusht për t’u kualifikuar, edhe mund ta pranoj atë. /Telegrafi/

Në trend Sport

Më shumë
Klubi rumun shkruan pas ndeshjes ndaj Rahovecit: Pritje shumë e mirë, ju falenderojmë për këtë gjë

Klubi rumun shkruan pas ndeshjes ndaj Rahovecit: Pritje shumë e mirë, ju falenderojmë për këtë gjë

Hendboll
Gabimi i menaxherit në kontratën e parë profesioniste, si u detyrua Liridon Krasniqi të punojë në ‘baushtellë’

Gabimi i menaxherit në kontratën e parë profesioniste, si u detyrua Liridon Krasniqi të punojë në ‘baushtellë’

Kosovë
Vedat Muriqi ndëshkohet me karton të kuq për gjest të pahijshëm në fitoren e Mallorcas

Vedat Muriqi ndëshkohet me karton të kuq për gjest të pahijshëm në fitoren e Mallorcas

La Liga
Celta Vigo bën përmbysje të madhe për të fituar një pikë ndaj Barcelonës

Celta Vigo bën përmbysje të madhe për të fituar një pikë ndaj Barcelonës

La Liga
Granit Xhaka shënon gol spektakolar në fitoren e thellë të Bayer Leverkusenit dhe njofton se do të bëhet sërish baba

Granit Xhaka shënon gol spektakolar në fitoren e thellë të Bayer Leverkusenit dhe njofton se do të bëhet sërish baba

Bundesliga
Zbulohet arsyeja pse Messi refuzoi që të marrë pjesë në 125-vjetorin e Barcelonës

Zbulohet arsyeja pse Messi refuzoi që të marrë pjesë në 125-vjetorin e Barcelonës

La Liga
Kalo në kategori