Insta360, kompania më e njohur për kamerat e saj aksion, sapo ka prezantuar një ekran “selfie” të quajtur Snap.

Bëhet fjalë për një ekran të vogël që lidhet përmes portës USB-C dhe vendoset në pjesën e pasme të telefonit, duke i ndihmuar përdoruesit të shfrytëzojnë kamerën e pasme për selfie me rezolucion më të lartë.


Ekrani me prekje, me madhësi 3.5 inç, mundëson rregullimin e cilësimeve të kamerës si zmadhimi dhe fokusi, si dhe kuadron e selfieve para se të regjistrohen.

Kompania ka prezantuar gjithashtu një model të zhvilluar në bashkëpunim me markën e bukurisë AMIRO, i cili ofron dritë të integruar me temperatura të ndryshme ngjyrash dhe nivele ndriçimi.

Versioni standard i Snap kushton 79.99 dollarë, ndërsa versioni me dritë kushton 89.99 dollarë. Ky nuk është një produkt krejtësisht i ri në treg, por Insta360 thotë se zgjidhja e tyre me USB-C ofron stabilitet më të lartë dhe vonesë (latencë) më të ulët.


- YouTube www.youtube.com

Trashësia e ekranit Snap është 6.8 mm; pak më i hollë se iPhone 17, dhe fiksohet magnetikisht në pjesën e pasme të iPhone-ve që mbështesin MagSafe. Insta360 thekson se në paketim përfshihet edhe një unazë magnetike për pajisje të tjera, dhe se Snap mbështet telefonat Android që ofrojnë DisplayPort Alt Mode dhe funksionin e pasqyrimit të ekranit.

Nga kompania shtojnë se Snap është i pajtueshëm me të gjitha aplikacionet kryesore të kamerës dhe rrjeteve sociale të palëve të treta, për ta bërë regjistrimin dhe publikimin më të lehtë.

Telefonat si iPhone 17 dhe Galaxy S25 kanë kamera të pasme që ofrojnë rreth tre deri në pesë herë më shumë rezolucion se kamerat e përparme, ose në rastin e Galaxy S25 Ultra, rreth 16 herë më shumë.

Pra, përveç nëse prodhuesit e telefonave fillojnë të investojnë më shumë në kamerat e përparme, Snap mund të bëhet shumë i popullarizuar te krijuesit e përmbajtjes dhe përdoruesit e rrjeteve sociale. /Telegrafi/