Inspektorati Shëndetësor mbyll tetë institucione shëndetësore, Vitia: Shëndeti i qytetarëve nuk do të rrezikohet

Gjatë kësaj jave, Inspektorati Shëndetësor ka mbyllur tetë institucione shëndetësore private që operonin në mënyrë të paligjshme, pa licencë për ushtrim të veprimtarisë.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, përmes një postimi në Facebook.
“Inspektorati Shëndetësor vazhdon punën profesionale duke garantuar respektimin e ligjit dhe standardeve të shërbimeve shëndetësore. Shëndeti i qytetarëve nuk mund dhe nuk do të lejohet që të rrezikohet nga veprimtari të paligjshme”, deklaroi Vitia.
Ai ka bërë thirrje për respektim të rregullave dhe ligjit nga të gjitha institucionet që ofrojnë shërbime shëndetësore, duke theksuar se kontrollet do të vazhdojnë me intensitet të njëjtë.
Ministri gjithashtu falënderoi Inspektoratin Shëndetësor dhe të gjithë inspektorët për përkushtimin dhe angazhimin e tyre të përditshëm në mbrojtje të sigurisë shëndetësore të qytetarëve./Telegrafi/



















































