LAJMI I FUNDIT:

Inspektorati i Punës: Gjendja e nivelit të sigurisë dhe shëndetit në punë nuk është në nivelin e duhur

Inspektorati i Punës: Gjendja e nivelit të sigurisë dhe shëndetit në punë nuk është në nivelin e duhur

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi dhe ushtruesi i detyrës së Kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës, Valon Leci gjatë emisionit “Përballje ditore” me gazetarin Muhamet Hajrullahu në Telegrafi kanë folur për gjendjen e sigurisë dhe shëndetit në punë të punëtorëve në Kosovë.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi ka deklaruar se numri i vdekjeve të punëtorëve këtë vit ka shënuar rënie krahasuar me vitet e kaluara.

“Në fakt nëse e marrim periudhën tri vjeçare, në vitin 2017 kemi pasur 22 raste të vdekjes, në vitin 2018 kemi pasur 27 raste, ndërsa këtë vit fatbardhësisht kemi rënie bajagi të mirë krahasuar me vitet e kaluara. Vitin e kaluar kemi pasur 27 raste, sivjet deri më tani kemi 16 raste, për të cilat ne gjithmonë themi se janë prapë shumë. Por, megjithatë kur numri shkon në rënie na inkurajon se diçka ka filluar të veprohet në këtë formë. Nëse marrim një krahasim me rastet e vdekjeve në rajon ku në 100 mijë punëtorë numri i punëtoreve të vdekur është 2.2 tek ne është prapë tepër i lartë është 8.4. Megjithatë, për vitin ku jemi kjo shifër kishte më rënë shumë ma poshtë. Nuk e di cili është elementi, për cilin po mendoj që akterët kryesorë që kanë të bëjnë më këtë çështje ndoshta pak janë të vetëdijesuar dhe ajo është duke i dhënë prioritet punëtorëve. Nga pronarët e kompanive, sigurisht edhe nga sindikata dhe do të kisha dëshiruar që ky numër të jetë gjithnjë e më i vogël, duke iu falënderuar akterëve kryesorë të cilët duhet të luftojnë këtë çështje dhe kjo çështje të minimizohet sepse edhe nëse një punëtor humb jetën për neve është shumë”, ka thënë ai gjatë intervistës.


Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi dhe ushtruesi i detyrës së Kryeinspektorit të Punës, Valon Leci (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Azemi gjithashtu ka deklaruar se kanë bashkëpunim shumë të mirë me Inspektoratin e Punës.

“Ne po bashkëpunojmë shumë mirë me Inspektoratin e Punës, i cili në një farë forme për Sindikatën ka thënë se dyert janë të hapura për çfarë do brenge që keni, dhe ne fatbardhësisht po bashkëpunojmë shumë mirë, në të kaluarën nuk ka qenë kështu nuk kemi pasur bashkëpunim, por tani kemi bashkëpunim për të cilin premton”, ka pohuar ai.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Në anën tjetër, ushtruesi i detyrës së Inspektoratit të Punës, Valon Leci po ashtu pohoi se ka rënie të numrit të vdekjeve të punëtorëve në vendin e punës, teksa ka shtuar se gjendja e nivelit të sigurisë dhe shëndetit në punë nuk është në nivelin që e dëshirojnë.

“Gjendja e nivelit të sigurisë dhe shëndetit në punë nuk është në nivelin të cilin ne e dëshirojmë si inspektorat as si përfaqësues të punëtorëve as si shoqëri në totalitetin e vet. Megjithatë ka një përfaqësim përmbajtjesor këta numra, dua të tregoj që këto statistika në Kosovë nuk është së janë gjithmonë korrekte. Sipas statistikave që kemi ne numri është pak më i ndryshëm, këtë vit ne kemi 11 raste që kanë humb jetën në vendin e punës si pasojë e aksidenteve në vendin e punës, sepse unë e kuptoj edhe zotëri Azemin sepse ky jep numra në totalitet, por inspektorati bën mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit për siguri dhe shëndet në punë, dhe në këtë rast merret me hetimin e aksidenteve dhe pasojat e këtij aksidenti. Nëse një vdekje është infrakt këto nuk janë si pasojë e aksidenteve që kanë ndodhur në vendin e punës”, ka pohuar ai.

Leci ka bërë të ditur se si pasojë e aksidenteve të punës këtë vit kanë humbur jetën 11 punëtorë, kurse në vitin e kaluar 22.

“11 është numër i lartë, sepse nëse një person i vetëm vdes në vendin e punës është shumë. Synimi ynë është mos me pas asnjë person që e humbë jetën në vendin e punës, natyrisht me lëndime të lehta”, ka pohuar ai.

Ushtruesi i detyrës së Kryeinspektorit të Punës, Valon Leci (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Azemi dhe Leci pohuan së bashkëpunimi duhet të vazhdojë në mënyrë që të përmirësohet gjendja e punëtorëve në Kosovë.

Gjithashtu, ata gjatë intervistës kanë folur edhe për kërkesat e tyre që do t’i kenë për Qeverinë e Kosovës lidhur me përmirësimin e gjendjes së punëtorëve në Kosovë.

 “Ky debat është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Qendrës për Politika dhe Avokim dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian ose BIRN-it dhe AGK- së”. /Telegrafi/