Inspektohet deponia e mbeturinave në Koshtovë dhe identifikohen deponi ilegale

Drejtoresha e Drejtorisë për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Pyjeve në Komunën e Mitrovicës, Arjeta Beqiri Hyseni, ka realizuar një inspektim në deponinë e mbeturinave në fshatin Koshtovë, me qëllim të vlerësimit të gjendjes aktuale dhe funksionimit të saj.
Gjatë vizitës, drejtoresha u informua lidhur me gjendjen e përgjithshme të deponisë, funksionimin e sistemit të ajrimit, si dhe sfidat që po paraqiten në menaxhimin e këtij lokacioni.
Po ashtu, ajo inspektoi disa pika të deponive ilegale në fshatrat Vinarc dhe Koshtovë, ku theksoi nevojën për ndërhyrje të menjëhershme dhe për një angazhim të përbashkët institucional, me qëllim të pastrimit të lokacioneve dhe parandalimit të krijimit të deponive të reja ilegale.
“Drejtoria për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Pyjeve mbetet e përkushtuar për një mjedis më të pastër dhe më të shëndetshëm për qytetarët”, ka deklaruar drejtoresha Arjeta Beqiri Hyseni. /Telegrafi/




















































