Iniciativa për Progres (INPO) ka publikuar infografikën e kontratave të lidhura përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë për periudhën janar – shtator 2025, duke evidentuar një ulje prej 30.85% të vlerës së këtyre kontratave krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Në nëntëmujorin e parë të vitit 2025, autoritetet kontraktuese në nivel vendi kanë lidhur gjithsej 5,754 kontrata përmes procedurave të prokurimit publik. Nga këto, 284 kontrata janë lidhur përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, që përbën 4.9% të numrit total të kontratave të lidhura gjatë kësaj periudhe.


Vlera totale e kontratave të lidhura përmes kësaj procedure gjatë periudhës janar – shtator 2025 është 38,704,395.17 euro, që përfaqëson 5.1% të vlerës së përgjithshme të të gjitha kontratave publike të lidhura në vend.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, kur vlera e kontratave të kësaj natyre ishte 55,971,239 euro, vërehet një rënie prej 30.85%, që tregon një tendencë pozitive drejt reduktimit të përdorimit të procedurave më pak konkurruese.

Ndërkaq sa ju përket Ankesve të kontratave (punë shtesë) dhe raportit me kontratat kryesore të lidhura sipas porcedurës së negocuar pa publikimin e njoftimit për kontratë, vërejmë se nga gjithsej 284 kontrata të lidhura përmes kësaj procedure 140 janë anekse kontratash për punë shtesë apo ndryshime në kontrata ekzistuese, ndërsa 144 janë kontrata të reja.

Raporti mes tyre është pothuajse i barabartë, me 49.3% anekse dhe 50.7% kontrata të reja.
Në aspektin financiar, vlera e anekseve të kontratave arrin në 11,542,282.67 euro, ndërsa kontratat kryesore përbëjnë 27,162,112.50 euro.

Përdorimi i procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, megjithëse i lejuar në raste të veçanta të parashikuara me ligj, mbetet një praktikë që duhet të monitorohet me kujdes, për shkak të rrezikut të mungesës së konkurrencës dhe rrezikut më të lartë për keqpërdorim të fondeve publike.

INPO vlerëson se rënia e vlerës së kontratave të këtij lloji në vitin 2025 është një sinjal pozitiv, që mund të tregojë rritje të transparencës në menaxhimin e fondeve publike.
Megjithatë, pjesëmarrja ende e lartë e anekseve të kontratave tregon se praktikat e zgjatjeve dhe shtesave financiare vazhdojnë të mbeten të përhapura.

INPO do të vazhdojë të monitorojë në mënyrë të vazhdueshme procedurat e prokurimit publik, me fokus të veçantë tek ato që zhvillohen pa konkurrencë të hapur, me qëllim që institucionet publike të menaxhojnë në mënyrë të përgjegjshme fondet e qytetarëve.