LAJMI I FUNDIT:

Industria e veturave në vitin 2022: Vazhdimi i krizës

Industria e veturave në vitin 2022: Vazhdimi i krizës

Për shkak të coronavirusit ka pasiguri të madhe në industrinë e makinave, proceset e prodhimit janë ndërprerë, fabrikat janë mbyllur dhe ka mungesë të çipeve.

“A do të vazhdojë kriza në industrinë e automobilave edhe vitin e ardhshëm?”, është pyetja që Deutsche Welle (DW) po trajton në analizën e sotme.


Pas më shumë se tre dekadash në të cilat prodhimi i industrisë së automobilave tejkaloi kërkesën, gjatë pandemisë së virusit corona, situata ndryshoi plotësisht.

Prodhuesve u mungojnë çipa, ka probleme në zinxhirët e furnizimit, çmimet e lëndëve të para po rriten. Prodhimi është bllokuar, blerësit e automjeteve nuk mund të llogarisin më në zbritje të mëdha dhe ata presin makina të porositura shumë më gjatë se më parë.

“Rimëkëmbja gjithëpërfshirëse ka të ngjarë të ndodhë vetëm në 2023”, tha eksperti i industrisë së makinave Ferdinand Dudenhefer i Qendrës Gjermane për Kërkime Automobilistike (CAR) në një studim aktual.

Në vitin 2019, para krizës së coronavirusit, në Gjermani u shitën 3.6 milionë makina dhe në vitin 2020 ky numër ra në 2.9 milionë. Sipas parashikimeve të CAR, këtë vit mund të priten shitje prej 2.69 milionë. Megjithëse Dudenhefer pret që prodhuesit gjermanë të vazhdojnë të luftojnë pasojat e mungesës së çipave në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm, shitjet duhet të rriten ende në rreth 3.01 milionë makina.

Dudenhefer parashikon rikthim në nivelin e para pandemisë, pra rimëkëmbje të plotë të tregut të makinave në Gjermani, vetëm në gjysmën e dytë të vitit 2023. Vetëm atëherë, thotë ai, mund të pritet stabilizimi i ofertës së tregut.

Sipas atij eksperti, në fund të vitit 2023, mosha mesatare e automjeteve të regjistruara në Gjermani do të jetë mbi dhjetë vjet dhe kjo mund të çojë në “përtëritje” të flotës së automjeteve, përkatësisht në rritje të blerjes së veturave të reja. Ky proces rinovimi inkurajohet kryesisht nga makinat elektrike, të cilat janë gjithnjë e më të kërkuara në tregun gjerman.

Një analizë e të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) tregon se India mund të presë ritme të larta rritjeje të shitjeve në tregun e automobilave. Ndër vendet BRIC (Brazili, Rusia, India, Kina), falë rritjes së industrializimit, India mund të pozicionohet menjëherë pas Kinës. As Brazili dhe as Rusia nuk mund të llogarisin në rritje të konsiderueshme ekonomike vitin e ardhshëm.

Në vitin para pandemisë 2019, në tregun botëror u shitën rreth 80 milionë automjete të reja. Në vitin 2020, shitjet ranë me më shumë se 14 për qind, në 68.6 milionë. Sipas parashikimeve të CAR-it gjerman, në vitin 2021 mund të pritet një rritje e lehtë e shitjeve në 70.5 milionë, dhe në vitin 2022 edhe një kërcim i vogël në 75.2 milionë.

Edhe në vitin 2023, kur parashikohen shitjet e 78.8 milionë makinave, nuk do të arrihet niveli para pandemisë dhe vetëm në vitin 2025 mund të pritet një rikthim në shifrat e regjistruara nga industria e makinave përpara coronavirusit.

“Rimëkëmbja nga pandemia kërkon kohë”, përfundoi Dudenhefer me kujdes, bazuar në parashikimet nga Qendra e tij për Kërkimin e Automobilave.

Pavarësisht krizës, jo gjithçka ishte aq e zezë për industrinë e automobilave në të kaluarën. Sipas rezultateve të hulumtimit të kompanisë britanike të konsulencës “Ernst and Young”, 16 prodhuesit më të mëdhenj të makinave botërore në tremujorin e tretë të 2021 së bashku arritën një fitim operativ prej rreth 23 miliardë eurosh. Kjo është një rritje prej 11 për qind dhe në të njëjtën kohë – një rekord i ri.

Por analistët në Ernst & Young theksojnë se pengesat e reja në industrinë e automjeteve janë të mundshme. “Rritja e konsiderueshme e numrit të infeksioneve të reja me coronavirus në disa vende dhe masat shtrënguese të prezantuara si rezultat mund të çojnë sërish në probleme të reja dhe ndërprerje në zinxhirët e prodhimit dhe furnizimit”, thanë ata.

Turbulenca të tilla goditën më së shumti Kinën. Në tregun më të madh të makinave në botë, në tremujorin e tretë të vitit 2021, ka pasur një rënie të shitjeve deri në 26 për qind, sipas analizës së DW. /Telegrafi/