Një zyrtar policor dhe tre qytetarë janë arrestuar lidhur me incidentin e ndodhur pas mesnatës në fshatin Doganaj të Ferizajt, ku dy persona mbetën të plagosur pas një përleshjeje me armë zjarri. Lajmin e ka bërë të ditur Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), përmes një komunikate zyrtare.

“Departamenti i Hetimeve ka pranuar sot pas mesnatës një informatë nga Policia e Kosovës lidhur me një incident gjuajtjeje me armë zjarri, ku si pasojë janë lënduar dy persona”, thuhet në njoftim.


Në incidentin që ka ndodhur rreth orës 00:52, ishte përfshirë edhe një zyrtar policor jashtë detyrës zyrtare, i cili sipas IPK-së, është në mesin e të arrestuarve.

“Bazuar në veprimet fillestare hetimore dyshohet se incidenti ka ndodhur fillimisht si pasojë e një mosmarrëveshjeje në trafik, duke përfunduar fatkeqësisht në një incident të gjuajtjes me armë zjarri”, sqaron IPK.

Të plagosurit – një qytetar dhe zyrtari policor – janë dërguar për trajtim mjekësor në QKUK, ndërsa sipas mjekëve ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Nga vendi i ngjarjes janë sekuestruar dy vetura, dy armë zjarri (një Glock 19 zyrtare dhe një revole Zastava), 16 gëzhoja dhe një predhë.

“Pas kontakteve me Prokurorinë Themelore në Ferizaj, janë arrestuar katër të dyshuar – zyrtari policor dhe tre qytetarë – të cilëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, thuhet më tej në komunikatë.

IPK ka nisur hetimet në drejtim të veprave penale “Vrasje në tentativë”, “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Dhënie ndihmë gjatë kryerjes së veprës penale”.

Bazuar në autorizimet ligjore, IPK ka rekomanduar edhe suspendimin e zyrtarit policor të përfshirë në këtë rast.

Hetuesit e Inspektoratit janë në bashkëpunim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës dhe njësitet relevante të Policisë së Kosovës, ndërsa pritet të ndërmerren edhe veprime të tjera për zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit. /Telegrafi/