E drejtpërdrejtë dhe pa hezitim në deklarata, Monika Kryemadhi po shfaqet para publikut edhe në rolin e opinionistes në Big Brother VIP Albania, ku komentet e saj kanë tërhequr vëmendje për sinqeritetin dhe mungesën e filtrave.

Në një intervistë për emisionin Ftesë në 5, Kryemadhi ka theksuar se gjithmonë ka qenë e tillë, edhe në jetën personale. “Unë edhe kur kam qenë e martuar, nuk kam pasur filtra për deklaratat. Nuk kam mentalitetin se çfarë do të thonë të tjerët. Tani aq më pak”, u shpreh ajo, duke qeshur.


E pyetur nga moderatorja Bieta Sulo nëse beson ende te dashuria pas divorcit, Kryemadhi u përgjigj pa ekuivok: “Besoj te dashuria, është kryesore, ngroh shpirtin”.

Megjithatë, ajo la të kuptohet se emocionalisht mbetet e lidhur me ish-bashkëshortin e saj, Ilir Meta, duke e cilësuar atë si dashurinë e saj të parë dhe të fundit. Sipas Kryemadhit, edhe pse një marrëdhënie mund të përfundojë, ndjenjat jo domosdoshmërisht zhduken nga të dyja palët në të njëjtën kohë.

- YouTube youtu.be

“Nuk mendoj se jam në një fazë për të dashuruar dikë tjetër. Unë e kam dashurinë time. Ajo ka kaluar në shumë sfida dhe, edhe kur vjen momenti që mbaron, nuk do të thotë që mbaron nga ana tjetër”, tha ajo.

Kryemadhi shtoi se politika ka qenë faktori që i ka bashkuar dhe ndarë njëkohësisht. “E gjithë jeta ime politike ka filluar me Metën në krahë. Politika na bashkoi dhe politika na ndau”, u shpreh ajo, duke nënvizuar se nuk e ka parë kurrë marrëdhënien e tyre si një barrë për karrierën politike.

Rrëfimi i saj është pritur me interes nga publiku, duke nxitur diskutime rreth ndarjes, dashurisë afatgjatë dhe mënyrës se si emocionet personale ndërthuren me jetën publike dhe politike. /Telegrafi/