IKSHPK jep rekomandime se si të parandalohen sëmundjet që barten me ujë

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë (IKSHPK) përmes një komunikate drejtuar mediave ka thënë se duhet parandaluar sëmundjet që barten me ujë.
IKSHPK në komunikatë thotë se “Uji i pijshëm duhet të jetë brenda kritereve të përcaktuara sipas rregulloreve në fuqi, në mënyrë që mos të dëmtojë organizmin”.
“Uji luan rol të rëndësishëm për organizmin e njeriut. Ndotja e ujit dhe përdorimi i tij ndikon në shëndetin e njeriut”, thuhet në njoftim.
Më tej, IKSHPK pohon se nga përdorimi i ujit të ndotur shkaktohen më shumë se 200 sëmundje, disa prej të cilave shkaktohen nga ndotja e ujit me jashtëqitje të njeriut ose të kafshëve.
Rekomandimet e IKSHPK-së për parandalimin e sëmundjeve që barten me ujë:• Konsumoni ujë të sigurt/ të dezinfektuar për pije. Në mungesë të tij, vlojeni ujin së paku 10 minuta dhe ftoheni para përdorimit. • Ruani ujin në enë të pastërta. • Mos kyçni bunaret në rrjetin e ujësjellësit. • Lani duart para dhe pas përgatitjes dhe ngrënies së ushqimit. • Lani duart me ujë të pastër dhe sapun pas përdorimit të toaletit, ndërrimit të pelenës së fëmijës, kujdesit ndaj personit tjetër si dhe kujdesit ndaj kafshëve. UJI I PASTËR – SËMUNDJA LARG".
Ndryshe, javë më parë mbi 1 mijë persona në Deçan dyshohet se janë helmuar nga uji i pijshëm. /Telegrafi/




















































