LAJMI I FUNDIT:

IKD reagon ndaj praktikës së mbylljes së kundërligjshme të seancave të caktuara gjyqësore

IKD reagon ndaj praktikës së mbylljes së kundërligjshme të seancave të caktuara gjyqësore

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar ndaj praktikës së instaluar nga disa gjykatës në marrjen e vendimeve, të cilat nuk kanë bazë ligjore, duke obliguar mediat dhe organizatat e shoqërisë civile që monitorojnë seancat gjyqësore që gjatë raportimit personat e akuzuar të mos identifikohen dhe raportimi të bëhet me iniciale.

Në reagimin e IKD-së thuhet se një praktikë të tillë e ka hasur së fundi në procesin e monitorimit sistematik të seancave gjyqësore në fushën penale.


Në këtë drejtim, vlen të theksohen dy raste të profilit të lartë si: “Rasti i mashtrimit me viza”, ku akuzohet ish-deputetit M.Z dhe dy persona të tjerë për mashtrim, pastrim parash dhe shmangie nga tatimi si dhe “Rasti i veteranëve mashtrues”, ku akuzohen ish-kryeministri Agim Çeku dhe 11 persona të tjerë për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

“Në këto raste, gjykatësit kanë marrë vendime, të cilat bien në kundërshtim me frymën dhe parimet e përcaktuara në Kushtetutë. Sipas Kushtetutës, gjykimi është publik, me përjashtim të rasteve kur gjykata, në rrethana të veçanta, konsideron se, në të mirë të drejtësisë, është i domosdoshëm përjashtimi i publikut, ose i përfaqësuesve të medieve. Vendimet e gjykatësve, për të obliguar mediat dhe OJQ-të që të raportojnë me iniciale, cenojnë rëndë parimin e publicitetit të garantuar me Kushtetutë”, thuhet në reagim.

Sipas IKD-së, qasja e re e gjykatësve të caktuar në udhëheqjen e seancave gjyqësore në çështjet penale bie në kundërshtim edhe me vet Kodin e Procedurës Penale, i cili përcakton se “nga fillimi deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, gjyqtari i vetëm gjykues ose trupi gjykues me propozimin e palëve ose sipas detyrës zyrtare, por gjithnjë pas dëgjimit të tyre, mund të përjashtojë publikun gjatë gjithë shqyrtimit gjyqësor ose nga një pjesë e tij, kur kjo është e nevojshme për: … mbrojtjen e jetës personale ose familjare të të akuzuarit, të dëmtuarit ose të pjesëmarrësve të tjerë në procedurë”.

Sipas kësaj dispozite, Gjykata “mund të përjashtojë publikun gjatë gjithë shqyrtimit gjyqësor ose nga një pjesë e tij”, duke mos e dhënë edhe mundësinë e obligimit për media që raportimi të bëhet me iniciale.

“Kushtetuta dhe Kodi i Procedurës Penale përcaktojnë si rregull që një seancë gjyqësore në çështje penale është publike, dhe vetëm në rrethana të veçanta, mundëson përjashtimin e publikut, ose i përfaqësuesve të medieve, vetëm në ato raste kur kjo bazohet në interes të drejtësisë dhe si masë është e domosdoshme. Vendimet e gjykatave për të raportuar me iniciale, po ashtu cenojnë rëndë Lirinë e Shprehjes dhe Lirinë e Medias, të garantuara me Kushtetutë, e cila gjithashtu e ndalon censurën dhe nuk lejon askënd të pengojë shpërndarjen e informacionit ose të ideve nëpërmjet medieve, me përjashtim të rasteve kur një gjë e tillë është e domosdoshme për parandalimin e nxitjes dhe provokimit të dhunës dhe armiqësive në baza të urrejtjes racore, kombëtare, etnike ose fetare. Vendimet e gjykatësve për të raportuar me iniciale mund të konsiderohen si censurë dhe pengesë për të shpërndarë informacionin, i cili ka interes të veçantë për publikun në Kosovë”, thuhet ndër të tjera në reagim.

Me anë të këtyre praktikave të kundërligjshme, IKD vlerëson se gjykatësit formalisht kanë vendosur që gjykimet nuk janë të mbyllura, por në esencë i kanë mbyllur gjykimet

IKD vlerëson se këto praktika më së paku paraqesin transparencë dhe llogaridhënie të sistemit gjyqësor përballë publikut.

IKD thekson se dispozitat ligjore si ato vendore dhe ndërkombëtare dhe po ashtu edhe praktika e GjEDNj-së i japin rëndësi jetike proceseve gjyqësore të hapura për publikun dhe palët e interesuara, për të siguruar një proces gjyqësor të drejtë, që qëllim final ka fitimin e besimit të publikut në pavarësinë dhe paanshmërinë e gjykatave. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Ndalimi i policëve të Kosovës, DASH: Serbia po bën veprime përshkallëzuese

Ndalimi i policëve të Kosovës, DASH: Serbia po bën veprime përshkallëzuese

Lajme
Brnabiq arsyeton arrestimin e zv.drejtorit Jankoviq, reagon Surroi: Ndërhyrje në identitetin e serbëve të Kosovës

Brnabiq arsyeton arrestimin e zv.drejtorit Jankoviq, reagon Surroi: Ndërhyrje në identitetin e serbëve të Kosovës

Lajme
Pronari i “Zhitia Turist” tregon se çfarë u është thënë udhëtarëve të ndaluar nga Serbia në kufi

Pronari i “Zhitia Turist” tregon se çfarë u është thënë udhëtarëve të ndaluar nga Serbia në kufi

Lajme
Qeveria e RMV-së vendosi: 24 prilli dhe 8 maji ditë jo pune për të gjithë qytetarët

Qeveria e RMV-së vendosi: 24 prilli dhe 8 maji ditë jo pune për të gjithë qytetarët

Lajme
Arrestimi i zv.drejtorit të Policisë së Kosovës, analistët në Beograd:

Arrestimi i zv.drejtorit të Policisë së Kosovës, analistët në Beograd: "Shfaqja e muskujve" nga Vuçiqi

Lajme
Pa marrëveshje për dinarin, Bislimi: Ishte takim i kotë, Serbia e painteresuar për marrëveshje

Pa marrëveshje për dinarin, Bislimi: Ishte takim i kotë, Serbia e painteresuar për marrëveshje

Lajme
Kalo në kategori