Nëse keni menduar që Herkulesi i kohëve tona nuk ekziston – e keni gabim. Idriz Humolli, me gjithë vështirësitë dhe pengesat e shumta në karrierë, tashmë është dëshmuar në botën e bodybildingut, ndonëse ka mbetur shembull i gjeneratave si promotori i vërtetë i jetës së shëndetshme dhe i mënyrës së jetesës.
Bashkë me emrin dhe përvojën e tij jetësore qëndrojnë vetëm mirënjohjet dhe pasqyra e një individualiteti të realizuar i cili punon intensivisht në popullarizimin e bodybildingut dhe sportit.
Si kampion i shumëfishtë, ka arritur që ëndrrën e vet ta bëjë realitet. Kështu që nëpërmjet fitnesit, vendosi standarde të cilat pak kush mund t’i arrijë.
Në vazhdim lexoni intervistën me Idriz Humollin dhe mësoni se sa e ka transformuar bodybildingu dhe çka paraqet për të përkushtimi ndaj sportit.
Do të donim që për lexuesit tanë të na tregoni se çka bën aktualisht legjendari Idriz Humolli?
Aktulisht jam duke përfunduar dizajnimin dhe thyerjen teknike të librit tim të tretë, i cili mban titullin”Bodibildingu dhe Fitnesi kosovar” – kujtime dhe përjetime, dhe duke i bërë përgatitjet përfundimtare për shtyp.
Të rinjtë të cilët janë në fillim të rrugës së tyre jetësore shpesh përballen me dilema se me çfarë saktësisht dëshirojnë të merren në jetë. Por, ju, si duket, qysh në fëmijëri e keni hequr dilemën e së ardhmes suaj…
Njeriu gjatë jetës ka me qindra mënyra që rininë ta shpenzojë-kalojë, duke e ndërtuar në besimin se është në rrugë të drejtë. Megjithatë, ka vetëm një mënyrë që njeriu të jetë vetvetja dhe të arrijë sukses si në jetën e përditshme ashtu edhe në sport.
Për mua gjithnjë ishte gjëja më me rëndësi që saktësisht e dija se çka dëshiroja, dhe shumë shpejtë e kuptova se si arrihet ajo që unë synoja, ndërkohë që u angazhova shumë dhe isha këmbëngulës, kështu që atë që e dëshirova edhe e realizova.
Bodybildingu ndoshta është shembulli më ilustrativ i gjithë karrierës suaj të begatshme, ndërkohë që të merresh me dy ose më shumë profesione në jetë, kanë sukses vetëm individë të caktuar: të mençur, të aftë dhe të zellshëm…
Marrja me dy ose ma shumë profesione njëkohësisht është jo e kollajshme, sidomos kur njeriu merret me përkushtim e veçmas me profesionalizëm. Unë edhe pse me profesion jam jurist dhe kamë punuar në këtë profesion, njëkohësisht në mënyrë profesionale jam marrë me dekada me sportin e bodibildingut dhe fitnesit, po ashtu në mënyrë profesionale, madje përveç ushtrimeve, pjesëmarrjes në kampionate të ndryshme (me sukses); njëkohësisht kamë qenë i angazhuar në hapjen e klubeve në disa qytete të Kosovës; kamë shkruar me dhjetëra artikuj nëpër gazeta për tema të ndryshme lidhur me bodibildingun dhe fitnesin.
Gjithashtu kam shkruar librin e parë me titull bodibilding në gjuhën shqipe (1986), të dytin (1993), dhe akoma jam në rrjedhat e këtij sporti, natyrisht duke qenë gjithnjë aktiv.
A mund të na shpalosni rrugëtimin tuaj të gjatë e të suksesshëm e të na tregoni rrjedhjen e tërë ecejakeve dhe karrierës tuaj deri këtu?
Rrugëtimi im në botën e bodibildingut dhe fitnesit ishte i rëndë, i mundimshëm, i gjatë dhe me pengesa të mëdha e të natyrave të ndryshme, që nga tasat e mbushur me çimento, hekuri i vendosur në oborr, e deri te pajisjet dhe programet digjitalizuara profesionale për ushtrime të bodibildingut dhe fitnesit përbën një histori, besoj të suksesit.
Po përmendi vetëm disa nga aktivitetet sipas kronologjisë: Fillova në vitin 1967, atëherë kur u njoha me këtë sport, në vitin 1970, isha shqiptari i vetëm që kisha shkuar në Beograd për ta përcjellë kampionatin botëror, në vitin 1972 u bëra bashkëpunëtorë i revistës “Herkulesi”, në vitin 1976 mora iniciativën për themelimin e klubit të parë të bodibildingut në Kosovë, në vitin 1978 u shpalla kampioni i parë i Kosovës në bodibilding, për të fituar pastaj edhe gjashtë herë titullin e më të mirit në Kosovë. Isha pjesëmarrës direkt për hapjen e klubit në Podujevë në vitin1982, sikurse edhe në Gjakovë po të njëjtin vit, pastaj në vitin 1983, në Ferizaj etj.
Në fund të vitit 1982, mora iniciativën për themelimin e Federatës së Bodibildingut të Kosovës ( në atë kohë njihej si Lidhje e Gjimnastikës Atletikore), në vitin 1986, u botua libri im i parë “Bodibildingu” (ndërsa i dyti nëvitin 1993), dhe të njëjtin vit organizova dhe ligjërova në Seminarin e parë për aftësimin e kuadrove të bodibildingut, sponsoruar nga Enti i Kulturës Fizike të Kosovës, në vitin 1987, themelova Klubin e Bodibildingut “Prishtina”, isha njëri ndër organizatorët e revysë “Gjakova 1997”, ndërsa isha organizatori kryesor për mbajtjen e revysë memoriale “Llapi 2000 dhe 2001.
Në vitin 2000, gjithashtu isha koordinator dhe bashkëorganizator i revysë me rastin e pagëzimit të palestrës sportive me emrin “Bashkim Selishta –Petriti” në Gjilan. Po në këtë vit isha bashkëiniciator për themelimin dhe regjistrimin e Klubit të Femrave Fitnes dhe Aerobik “Prishtina”.
Organizova Kampin e parë në Kosovë për të rinj në vitin 2002. Për herë të parë në Kosovë, hapa Qendrën e Fitnesit për Adoleshentë. Në vitin 2017, filluan xhirimet e dokumentarit “Rrugëtim prej Kampioni”, ndërsa premiera e tij u shfaq në tetor të vitit 2018, e shumë tjera.
Cili ishte reagimi i familjes suaj, kur mësuan se do të merreni me bodibilding?
Sa më shumë që koha kalonte, bodibildingu bëhej pjesë jo vetëm e përditshmërisë, por edhe pjesë e pandarë e jetës sime. Tashmë këtë gjë e kishin vërejtur mirë edhe prindërit e mi.
Nëna ime nuk më kishte bërë ndonjë vërejtje të hapur, edhe pse unë e hetoja shqetësimin e saj, nga frika për lëndimet e mundshme, duke u ngritur e bërë rrotullime në hekur dhe duke ngritur pesha.
Derisa mospajtimi i nënës ishte i heshtur dhe, natyrisht, përcillej me brengë dhe frikë nga lëndimet e mundshme dhe këtë unë e dija mirë, babai sillej krejtësisht ndryshe. Ai shpesh ngulte këmbë që ta braktisja bodibildingun, duke më kërcënuar dhe duke më bërë presion të vazhdueshëm. E dija shumë mirë se tërë këtë e bënte nga frika se mos po mbetesha mbrapa me mësime, edhe pse e dinte se isha nxënës shumë i mirë gjatë tërë kohës dhe në fund përfundova shkollën e mesme me sukses të shkëlqyer.
Edhe përkundër gjithë kësaj, ai, megjithatë, vazhdonte me mospajtim gjithnjë e më të theksuar, deri me rastin kur e përcolli kampionatin e parë, ku s’kishte mundur t’i ndalte lotët e gëzimit, duke më parë, tani jo me pesha në dorë por me kupën e më të mirit në Kosovë.
Si je dukur në sytë e të tjerëve në fillim dhe si ka reaguar masa kur kanë parë një trup të skalitur që ishte e paimagjinueshme për kohën dhe mjedisin?
Edhe pse gjithmonë kamë veshur këmisha dhe fanella më të gjëra, për të mos rënë në sy, megjithatë shokët dhe jo vetëm ata, e vërenin se tashmë isha paksa më i dalluar, në pikëpamje të dukjes fizike në përgjithësi. Shëtitja ime në “korzo” ka bërë që edhe shumë shokë dhe moshatarë të mi të fillojnë, apo së paku të mendojnë për t’u marrë me sportin e bodibildingut. Në atë kohë mjaftonte të ishe vetëm pak i veçuar nga të tjerë për tëra në sy.
Pas një karriere të bujshme ju keni themeluar palestrën e parë dhe klubin e parë të bodibildingut në Kosovë. Si i ka qenë fillimi dhe çfarë emocionesh ju kanë përcjellë?
Themelimi i klubit të parë në Kosovë ishte jo i lehtë, por regjistrimi i tij tek organet kompetente ishte tejet i mundimshëm. Klubi kishte pengesa për regjistrim sepse askush nuk dinte se për çfarë aktiviteti bëhej fjalë. Që nga dita e themelimin e deri te marrja e Aktvendimit për regjistrim kishin kaluar 17 muaj. Arsyen qe ma kishin dhënë për mosregjistrim ishte se ata kishin konstatuar se ky klub nuk mund të regjistrohet, sepse konsiderohet si organizatë me karakter të dyshimtë.
Unë dhe shokët e mi u detyruam të bënim tri kërkesa radhazi deri në arritjen e qëllimit. Fillimisht u refuzua pos tjerash për shkak të emrit “Bashkimi”, pastaj të emrit “Prishtina” dhe gjithashtu të fjalës “bodibilding” që askush përfshirë edhe autoritetet e regjistrimit se kishin idenë se çka do të thotë e tëra kjo. Në fund detyruam që të ndryshojmë çdo gjë dhe regjistruam klubin me emrin: Klubi i Gjimnastikës Atletikore “Atleti”, duke mos përmendur në asnjë shkresë dhe natyrisht as në Statut fjalën bodibilding.
Cili ishte metoda që ju praktikonit gjatë trajnimit për të fituar elegancën shpirtërore të trupit vital?
Metoda ime e trajnimit kryesisht ka të bëjë me ushtrimet mirë të balancuara, që garantojnë forcën dhe qëndrueshmërinë optimale si dhe zhvillimin proporcional dhe harmonik të trupit.
Si duken sot treningët tuaj? A ka ndryshime të dukshme apo pak a shumë u përmbahesh stërvitjeve të njëjta?
Treningu im aktual mbështetet kryesisht në parimet bazë të rregullave themelore, natyrisht duke bërë ushtrime dhe variacione të shumta për çdo stërvitje dhe për çdo lloj të grupeve muskulore. Shkallën e intensitetit e rregullojë sipas aftësive dhe mundësive momentale dhe i përmbahem shumë individualizimit të ushtrimeve, duke mos u ndikuar nga asgjë dhe askush.
Sa kohë ju ka marrë ‘gdhendja’ që të fitonit këtë ndërtim trupor të përsosur?
Nuk mund ta di saktësisht për sa kohë, por e di se për të ndërtuar një trup të zhvilluar dhe simetrik duhen disa vite dhe, kjo varet nga shumë faktorë, duke përfshirë faktorin shumë të rëndësishëm gjenetik dhe natyrisht ushqimin dhe kualitetin e tij, pushimin, etj.
E tërë familja juaj është e përkushtuar dhe e dashuruar ndaj fitnesit, kurse shembulli më ilustrativ jeni ju. A do të vazhdojë edhe më tutje kjo dashuri ndaj këtij sporti?
Bodibildingu shumë herët filloi të bëhet traditë familjare, përfshirë të gjithë fëmijët e mijë, disa më shumë e disa më pak, si dhe nipat dhe mbesat e mija. Po me siguri, tradita do të vazhdojë.
Idriz Humolli (1986) dhe djali i tij Besniku (2018)
Për një karrierë të suksesshme, përkrah talentit, mendoj se keni patur edhe mbështetjen e miqve. A mund të veçonit ndonjërin apo disa që kanë bërë të mundur rrugëtimin tuaj spektakular?
Gjatë rrugëtimit tim të gjatë dhe të mundimshëm patjetër kamë pasur shumë bashkudhëtarë dhe mbështetës të cilët më kanë ndihmuar në periudha të caktuar kohore. Pothuajse në çdo dhjetëvjetorë ka pasur individë të caktuar që ishin krah i imi i djathtë dhe për të veçuar ndonjërin prej tyre për mua do të ishte jo korrekte, jo falënderuese dhe shumë e vështirë, meqenëse secili ka pasur rolin e tij në momente dhe periudha të caktuara kohore, megjithatë unë, u jam shumë mirënjohës të gjithë atyre që më kanë ndihmuar dhe kanë dhënë kontribut në zhvillimin dhe afirmimin e bodibildingut dhe fitnesit.
Krahas fitnesit dhe angazhimeve tjera, njiheni edhe si autor i librave të parë, por edhe shkrimeve të shumta kushtuar fitnesit. A kanë arritur efektin e vet në edukimin e brezave të rinj për këtë sport tashmë shumë të popullarizuar?
Për të pasqyruar më së miri ndikimin e shkrimeve e veçmas librave po përmendi vetëm disa raste që kanë kaluar kufijtë e Kosovës. Lexuesit e kësaj interviste le ta vlerësojnë vet se çfarë efekti patën shkrimet e bodibildingut në edukimin e brezave të rinj, pasi të kenë lexuar disa nga shkrimet që më kanë ardhur nga Shqipëria:
– Rando Kukeli, njëri nga themeluesit e bodibildingut në Shqipëri, kampion shtetëror, pjesëmarrës i disa kampionateve ndërkombëtare, njëherazi edhe sekretar i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Bodibildingut dhe Fitnesit, kohë më parë kishte shkruar: “Pas leximit të këtij libri (Bodibildingu të autorit Idriz Humolli nga Prishtina), kisha braktisur sportin e peshëngritjes, për t’u marrë dhe përcaktuar përgjithmonë për sportin e bodibildingut”.
– Ilirjan Mema, kampion i parë i Shqipërisë në Bodibilding: “Pasi u hap Shqipëria, pas vitit 90, unë mora informacion se Biblioteka Kombëtare në Tiranë kishte një kopje të vetme të librit Tuaj. Ndenja aty derisa e përpiva të gjithë. Shënimet që i kisha marrë ua kisha shpërndarë dhe rekomanduar shumë djemve të tjerë që aspironin bodybuildingun. Deri atëherë, duke mos pasur ‘Split’ programe për më shumë se 10-12 vite stërvitje, kisha punuar çdo ditë . Për mua ka qenë libri (Bodibildingu), apo literatura më e mirë që mund të ketë ekzistuar në Shqipëri deri atëherë”.
Endrit Memetaj, nga Tirana, trajner personal i bodibildingut dhe fituesit, pos tjerash shkruan: “Bodibildingu”, “mollë e ndaluar”… “Në Bibliotekën Kombëtare të Tiranës dhe midis shumë librave mbi sportet nuk u besuam syve kur një nga ata kishte titullin Bodibildingu, i shkruar nga Idriz Humolli. Pas gati dy javësh mbaruam së kopjuari dhe nocionet e librit filluan duke u vënë në përdorim dhe parë rezultatet e para dhe futjen në gjak të një kulture të re”.
– Edi Shameti nga Tirana, trajner personal i bodibildingut dhe fituesit, gjithashtu shkruan: “Ne moshën 16-17 vjeç, me disa shokë të mi ushtroheshin në kushte shtëpie. Arritëm me shumë vështirësi të fotokopjonim librin e jetës tonë të Idriz Humollit. Aty ndryshoi çdo gjë për ne. Prej atij libri unë mësova shumë dhe dijet që përfitova ja transmetoja të gjithë të rinjve shqiptar. Libri jot më mësoi si ti instruktoi edhe femrat edhe fëmijët, sepse ai të tregonte për çdo gjë. Ai libër ishte fanari që na ndriçoj në rrugën tonë të vështirë, ai i hapi themelet e para të atij sporti që ma ndryshoi jetën mua dhe shumë të tjerëve. Se je ti që e ndryshove jetën time dhe shumë të tjerëve në Shqipëri”.
Këto janë disa nga faktet dhe argumentet që dëshmojnë mbi rolin dhe rëndësinë e fjalës së shkruar (librit), që peshon rëndë.
Tashmë për ju, biri juaj, Artoni, ka realizuar dokumentarin emocional “Rrugëtim prej kampioni”. Si e keni përjetuar këtë, si një nderim, apo përgjegjësi tuajën karshi këtij sporti elitar?
Filmin dokumentar të realizuar nga djali im Artoni i cili ishte nismëtar i këtij projekti e kam përjetuar edhe si përgjegjësi por edhe si respekt, mbështetje dhe mirënjohje të tij dhe tërë familjes time për punën e bërë për pothuaj pesë dekada pa ndërpre.
Dokumentari mbase ka kapur të gjitha vlerat jetësore dhe komponentët e rëndësishëm të suksesit tuaj, por sigurisht është bërë edhe inspirim për shumë e shumë breza…
Nga mesazhet e pranuara pas premierës e që ishin shumë pozitive, mendoj se edhe në aspektin e inspirimit, ky dokumentar, do të shërben në këtë drejtim.
Ju jeni themelues i Federatës së Bodybuildingut të Kosovës dhe kampion i shtatëfishtë. Dihet se çdo sportist në koshiencën e tij e ka qëllimin për arritjen e suksesit të plotë. Sipas mendimit tuaj, që ta realizojë dikush këtë, përveç talentit ç’gjë tjetër nevojitet?
Dua të nisem nga vetja ime: Për të plotësuar dëshirën dhe ëndrrën time, gjithnjë kam pasur një zë të brendshëm, i cili më ka përcjellur tërë kohën, duke më thënë se duhet ecësh përpara, pa marrë parasysh pengesat eventuale që mund të dalin gjatë rrugëtimit. Pra, me rëndësi është të duash, të kesh vizionin e qartë, të kesh vetëbesimin, përkushtimin dhe këmbëngulësinë e duhur.
Vitrina juaj tashmë është stolisur me plot trofe. Na i përmendni disa që i keni më përzemër dhe ku i keni marrë ato?
Gjatë karrierës time shumëvjeçare kamë marrë dhe jam shpërblyer me shumë diploma dhe mirënjohje, duke filluar nga viti 1978, si kampion i parë i bodibildingut në Kosovë duke fituar edhe gjashtë të tjera për titullin e të parit në Kosovë, si dhe një medaljeje të artë në Sjenicë të Sanxhakut, përveç rezultateve tjera në shumë kampionate të ish-republikave të Jugosllavisë.
Në vitin 1983, nga LOKF-a dhe BVI-a, për kulturë fizike të Prishtinës, u shpërbleva me Mirënjohje si punëtor i dalluar sportiv për zhvillimin e bodibildingut. “Lëvizja Sportive Kombëtare” e klubit te karatesë “Minatori” nga Prishtina, me ndau diplomë me të cilën më kishin shpallur individin më të dalluar gjatë viteve 1991/94. Nga Federata e Bodibildingut dhe Fitnesit e Maqedonisë, në vitin 2017, u shpërbleva me medalje të artë dhe mirënjohje për promovimin e bodibilingut, fitnesit dhe jetës së shëndetshme në Ballkan për më shumë se 30 vjet.
Mirënjohje e pranuar në FSHBBF në Tiranë, ( 2003), për kontributin e dhënë në zhvillimin dhe popullarizimin e bodibildingut në Shqipëri për mua ka peshë dhe rëndësi të veçantë dhe si e tillë është më e çmuara nga të gjitha të tjerat, sepse pos tjerash e pranova dhe e përjetova si mirënjohje për vepër jetësore.
Mirënjohja tjetër që gjithashtu ka rol dhe rëndësi të veçantë për mua dhe aktivitetin tim është Mirënjohja e fundvitit 2018, e cila mu nda nga Komuna e Prishtinës- Drejtoria për sport –çmimi për vepër jetësore, për fushën e bodibildingut dhe fituesit.
Z. Humolli, ju ende gëzoni një formë të shkëlqyer, cili është regjimi juaj stërvitor?
Ushtroj 3-4 herë brenda javës, përpiqem të pushoi mjaftueshëm dhe mundohem të ushqehem shëndetshëm, duke përdorur ushqim të shumëllojshëm në masën e duhur, duke mos tepruar asnjëherë.
Është e njohur që një trup i latuar është bërë ves, ndërkohë që ka raste që njerëz duke u përpjekur me çdo kusht të bëhet i tillë, kalojnë edhe në depresion…
Njerëzit të cilët duan që me çdo kusht të ndërtojnë trupin e tyre duke përdorur mjete stimulative të dëmshme dhe të ndaluara janë shumë më tepër të predispozuar të kalojnë në depresion, sepse arritja e zhvillimit të një trupi harmonik, simetrik dhe proporcional kërkon përkushtim, ushqim të shëndetshëm dhe zgjedhje adekuate të ushtrimeve për grupe të caktuara të muskujve. Sforcimet në stërvitje nuk duhet të mbështeten në stimulatorë të ndaluar (bomba të kurdisura), dhe mos të harrojmë se shëndeti është pasuria dhe gjëja më e çmuar që ka njeriu (shëndeti paraqet mirëqenien fizike, psikike dhe sociale, andaj nuk duhet të bëhen lojëra me të).
Sigurisht edhe ju keni idolin tuaj. Cili është sportisti që e gëzon këtë epitet për ju?
Idoli im fillimisht ka qenë Steve Reeves dhe më pastaj Arnold Schwarzeneggeri.
Me Kevin Levrone, njërin ndër bodibilderët më të suksesshëm në botë të të gjitha kohëve, Prishtinë, më 12 maj 2018
Nuk thuhet kot, mendja e shëndoshë në trup të shëndoshë. Por, për të arritur këtë, kërkohen shumë parametra që nga motivimi e deri te morali i lartë. Cilat metoda i përdorni ju ose i preferoni për të gjithë ata që i përkushtohen këtij arti sportiv?
Duke ju thënë se është e nevojshme që krahas ushtrimeve për forcimin dhe zhvillimin e trupit, duhet të kenë edhe kujdes për shëndetin mental, sepse sot, më tepër është bërë turp të kesh trupin e trashë se sa mendjen e trashë. Megjithatë, do të doja që të kemi po aq biblioteka dhe salla të leximit sa ka qendra të fitnesit.
Tashmë po shohim një numër të konsiderueshëm të trajnerëve të fitnesit. Por, çka duhet të ketë një trajner cilësor për të nxjerrë kuadro kulmore?
Trajneri para së gjithash duhet të jetë në funksion të edukimit edhe intelektual të secilit praktikues të bodibildingut dhe fitnesit. Një trajner cilësor për mua është ai i cili ka dijen e mjaftuar praktike dhe teorike, të jetë me përvojë dhe të përcjellë të gjitha trendet aktuale botërore.
Ndonëse keni shumë angazhime, mbase arrini të ‘vidhni’ edhe pak kohë për ndonjë hobi ose pushim?
Kohën e lirë zakonisht e kaloi duke lexuar libra të zhanreve të ndryshëm dhe i parapëlqej shumë filmat, ndërsa shfaqjet teatrale tani shumë rrallë.
Cilat janë planet tuaja për të ardhmen dhe cilat janë, në të vërtetë, prioritetet tuaja?
Nuk parapëlqej që t’i shpalosë planet, meqenëse ato janë të një kohe që së shpejti mund të shihen, andaj të presim pak kohë, përndryshe puna dhe aktiviteti vazhdon dhe s’ka të ndalur, besoj kjo është me rëndësi.
Zakonisht, pas çdo interviste kërkojmë të dimë edhe mesazhin tuaj në formë porosie për të gjithë të rinjtë dhe të rejat që dëshirojnë që kënaqësinë e tyre ta gjejnë pikërisht te ky lloj sporti?
Merruni me bodibilding dhe fitnes, pa marrë parasysh gjininë dhe moshë, sepse ju garanton jetë të shëndetshme, dhe mos harroni se ndërtimi i trupit është i rëndësishëm për ndërtimin e kombit. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëNga Rubrika
Musa Sylejmani: Jemi duke punuar për një film, i cili do të realizohet nga dy produksione shqiptaro-zvicerane IFTP& Helvetia Film
Prof.dr. Florim Cuculi: Kam implantuar me mijëra stenta në karrierën time dhe i bëj përafërsisht 500-600 intervenime në vit
Inva Mula: “Ne nuk mund të shpresojmë te gjenerata e re, pa investuar te fëmijët tanë“
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Cristiano Ronaldo mund të kthehet në Evropë, trajneri i njohur tashmë e ka telefonuar
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje