Ia vranë partnerin dhe motrën, Juela me rrëfim tronditës në BBVA - tregon se si mësoi për vdekjen e tyre

Një rrëfim i ndjerë dhe mjaft personal është ndarë së fundmi nga Juela gjatë një bisede me Edisën brenda shtëpisë së Big Brother VIP Albania 5, duke prekur publikun me historinë e saj të dhimbshme.
Gjatë bisedës, ajo kujtoi një nga momentet më të vështira të jetës, kur mori lajmin tragjik për ndarjen nga jeta të ish-partnerit të saj, i cili ishte gjetur i vrarë së bashku me motrën e tij. Sipas Juelës, ngjarja kishte ndodhur në një periudhë të pazakontë, në fillimet e pandemisë së COVID-19, kur edhe kufizimet e para në udhëtime po hynin në fuqi.
Ajo tregoi se komunikimi i fundit me të kishte ndodhur vetëm rreth 20 minuta para se të merrte vesh lajmin e rëndë. Fillimisht ishte njoftuar nga një e njohur në Angli, ndërkohë që ngjarja kishte nisur të pasqyrohej edhe në mediat shqiptare.
“Më shkruan kjo mua nga Anglia… ke folur? Po kam nja 20 minuta, është rrugës për shtëpi. ‘Jo’, më tha, ‘provoje me e marrë në telefon’. Lajmi kishte dal atje në televizion shqiptar… me shkronja ‘motër, vëlla… gjenden të vrarë në oborr të shtëpisë’. E mbaj mend që më ka marrë me video call vajza nga Anglia. S’mora vesh asnjë gjë veç që kam hedh pjatat përtokë. Ka qenë e vështirë shumë. Ishte nata kur aeroportet po mbylleshin… shumë e vështirë me ja pranu vetes që ai nuk jetonte më”, rrëfeu ajo.
Rrëfimi i saj vjen si një dëshmi e dhimbjes së thellë që lënë pas ngjarje të tilla, por edhe e forcës për t’i përballuar ato me kalimin e kohës, duke emocionuar jo vetëm banorët, por edhe publikun që ndjek nga jashtë. /Telegrafi/






























































