Juventusi ka hapur bisedimet për një rikthim të mundshëm të Randal Kolo Muanit, i cili ishte i huazuar sezonin e kaluar, pasi ka mësuar se një marrëveshje për Youssef En-Nesyri po duket gjithnjë e më e pamundur.

“Zonja e Vjetër” ka qenë në kërkim të një sulmuesi qendror të ri gjatë afatit kalimtar të janarit dhe kishte qenë pranë sigurimit të shërbimeve të En-Nesyrit nga Fenerbahçe. Megjithatë, kjo marrëveshje ka ngecur, pasi përfaqësuesi i Marokut nuk është i prirur të transferohet në Torino fillimisht në formë huazimi, sipas raportimeve të së hënës.


Kjo situatë e ka detyruar Juven të rikthehet te opsione të tjera, duke përfshirë emra si Jean-Philippe Mateta, Beto, Federico Chiesa dhe Joshua Zirkzee.

Sipas raportimeve nga Fabrizio Romano dhe Alfredo Pedulla, Juventusi ka nisur gjithashtu diskutimet për një rikthim të mundshëm të Kolo Muanit, i cili aktualisht është i huazuar në Ligën Premier te Tottenham Hotspur.

Francezi pati një periudhë shumë të suksesshme huazimi te bardhezinjtë në gjysmën e dytë të sezonit 2024/25, duke shënuar një gol çdo dy ndeshje në Serie A, me tetë gola në 16 paraqitje në kampionat.

Në marrëveshjen e huazimit të Kolo Muanit dimrin e kaluar nuk ishte përfshirë opsioni i blerjes dhe përfundimisht, Juventusi nuk arriti të gjente një akord me klubin amë PSG as për një huazim të zgjatur dhe as për një transferim të përhershëm gjatë verës.

Kjo çoi në kalimin e 27-vjeçarit te Tottenham në një tjetër huazim në ditën e fundit të afatit kalimtar veror. Edhe kjo marrëveshje nuk përfshin opsion blerjeje.

Megjithatë, Kolo Muani nuk ka lënë të njëjtin përshtypje në Londrën e Veriut siç bëri në Torino: ai ende nuk ka shënuar asnjë gol në Ligën Premier pas 15 paraqitjesh.

Tani, sipas raportimeve të së hënës, Juventusi ka hapur bisedimet për një marrëveshje të mundshme për Kolo Muanin gjatë afatit kalimtar të janarit.

Kjo çështje nuk është pa komplikime, pasi raportimet theksojnë se Tottenham dhe trajneri Thomas Frank nuk dëshirojnë të lejojnë largime lojtarësh para përfundimit të afatit kalimtar të janarit./Telegrafi

telegrafi sport app