I ka mbushur 67 vite, Andie MacDowell flet për plakjen: Nuk kam pse të dukem e re, unë e dua veten ashtu siç jam

Aktorja e njohur Andie MacDowell (67) ka përcjellë edhe një herë një mesazh të fuqishëm për gratë anembanë botës: mos u turpëroni nga vitet tuaja. E ftuar të martën në emisionin The Drew Barrymore Show, ajo foli hapur për procesin e plakjes dhe presionin që shoqëria shpesh u bën grave për të dukur më të reja.
“Izgjedh të dukem ashtu siç duhet, sepse unë e dua veten time,” u shpreh MacDowell në segmentin e emisionit të dedikuar pranimit të moshës.
Ylli i filmit Groundhog Day dhe nëna e tre fëmijëve i tha ish-koleges dhe moderatores Drew Barrymore se kurrë nuk do ta kishte imagjinuar gjyshen e saj – një grua të cilën e kishte respektuar thellë – të ndjehej e detyruar t’i nënshtrohej presionit për t’u dukur e re.
“Ky koncept nuk ekzistonte më parë, dhe tani që ekziston, na ka bërë të ndjehemi të poshtëruara teksa plakemi. Kam tre nipa të vegjël dhe do të jem gjyshja e tyre, duke u dukur ashtu siç duhet, sepse unë e dua veten. Nuk kam pse të dukem e re, dhe e vlerësoj shumë që po e sjell këtë temë në pah,” tha ajo.
MacDowell prej kohësh është zë i fuqishëm kundër standardeve të ngurta të bukurisë që u imponohen grave të moshës së saj. Ajo e ka shprehur këtë më qartë duke e pranuar flokun e saj të thinjur, i cili tashmë është bërë pjesë e imazhit të saj. Megjithatë, ajo thekson se kjo është një zgjedhje personale. “Dy motrat e mia më të mëdha do ta lyejnë flokun gjithmonë. Mendoj se secili duhet të marrë vendimin e vet për mënyrën si ndihet me procesin e plakjes,” është shprehur ajo më herët për People.
Në një intervistë tjetër, aktorja ka treguar se si reagon kur dikush i thotë se flokët e thinjur e bëjnë të duket më e vjetër: “Më bën të qesh kur dikush më thotë se dukem më e moshuar. Po mbush 65 vjeç, çfarë mendoni, a dukem 75 vetëm pse i lashë flokët natyralë? Nuk më intereson. Dua të jem e moshuar. Jam lodhur duke u përpjekur të jem e re. Nuk dua të jem e re. Kam qenë e re. Por të jesh më e madhe dhe të përpiqesh të dukesh e re është një barrë e rëndë. Nuk mund ta mbaj këtë fasadë.”
Në këtë debat janë përfshirë edhe aktore të tjera të njohura. Drew Barrymore (50) ka deklaruar së fundmi se është “më e lumtura se kurrë”. Halle Berry (59) e ka cilësuar plakjen si një privilegj, duke thënë se gratë duhet të ndihen si “gurët e çmuar të shoqërisë”. Edhe Valerie Bertinelli (65) flet hapur për menopauzën dhe ndryshimet që sjell ajo në trup, duke theksuar rëndësinë e bisedave të tilla. /Telegrafi/



























































