Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka reaguar lidhur me situatën e krijuar nga mungesa e buxhetit të miratuar, duke theksuar se komuna ka vepruar në përputhje të plotë me legjislacionin.

Ai tha se, ndonëse Gjilani po përballet me sfida të ngjashme me kryeqytetin, menaxhimi financiar ka qenë i rregullt dhe pa tejkalim të obligimeve.


Sipas Hysenit, operimi me 1/12 e buxhetit të vitit paraprak ka qenë sfidues, por komuna nuk ka krijuar detyrime të reja pa mbulesë financiare.

Ai njoftoi se shumë shpejt do të thirret seanca konstitutive e Kuvendit Komunal, ku pritet të votohet edhe bartja e mjeteve vetanake për të mbuluar obligimet ekzistuese.

Kryetari theksoi se me këtë hap synohet stabilizimi i situatës buxhetore dhe funksionimi normal i projekteve dhe shërbimeve komunale. /Telegrafi/