Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka dorëzuar deklaratën vjetore të pasurisë pranë Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), për vitin 2025.

Sipas dokumentit të datës 29 mars 2025, Hyseni ka raportuar pasuri të paluajtshme të përbërë nga nëntë parcela toke, shumica prej të cilave janë blerë apo trashëguar nga prindërit e tij. Këto toka kanë sipërfaqe nga 276 deri në 12 mijë metra katrorë dhe kapin një vlerë të përgjithshme prej mbi 299 mijë eurosh.


Përveç parcelave të blera dhe të trashëguara në vitet 2024 dhe 2025, një nga parcelat përfshin edhe dy shtëpi të ndërtuara me një sipërfaqe të përgjithshme prej 259.49 m². Të gjitha këto pasuri janë në pronësi të prindërve të tij dhe e kanë prejardhjen nga të ardhurat e krijuara jashtë vendit.

Pasuria e vetme e luajtshme mbi pragun ligjor është një veturë Audi, e blerë në vitin 2023 për 15 mijë euro.

Hyseni ka deklaruar gjithsej tri kredi aktive, të marra në Banka Kombëtare Tregtare, për qëllime të ndryshme: blerjen e veturës (23 mijë euro), hapjen e biznesit të bashkëshortes (10 mijë euro) dhe një kredi personale prej 6,500 euro. Totali i borxhit të papaguar arrin rreth 34 mijë euro.

Pavarësisht angazhimeve financiare, Hyseni ka deklaruar kursime modeste, përkatësisht 339 euro në emrin e tij, si dhe afro 1,940 euro në emër të fëmijëve, në të njëjtën bankë.

Sipas Agjencisë, të vetmet të ardhura që deklaron janë nga paga e tij si Kryetar i Komunës së Gjilanit, në vlerë prej 1,294.44 euro neto në muaj, ose rreth 15 mijë e 530 euro në vit. Bashkëshortja e tij ka realizuar të ardhura në total prej rreth 5,484 euro, nga kontrata të përkohshme pune dhe biznes privat. /Telegrafi/