LAJMI I FUNDIT:

Humbni peshë gjatë shtatzënisë

Humbni peshë gjatë shtatzënisë

Humbja e peshës gjatë shtatzënisë mund ta përmirësojë shëndetin e foshnjave të lindura nga gratë obeze me diabet gjatë kësaj periudhe.

Tradicionalisht mjekët nuk kanë preferuar të këshillojnë gratë shtatzëna për të humbur peshën, madje edhe nëse janë obeze (të trasha). Në të vërtetë, të dhënat tregojnë se gratë e trasha shtojnë edhe 7 deri në 9 kilogramë gjatë periudhës së barrës.

Fëmijët e lindur nga gratë e shëndosha rrezikohen më shumë nga defektet neurale, defektet kongjenitale të zemrës dhe disa probleme tjera serioze. Ndërsa, shumica e grave as pas lindjes nuk e humbin të gjithë peshën të cilën e shtojnë gjatë shtatzënisë, duke e ngarkuar shëndetin e tyre edhe me mbipeshë.

Kjo i ka shtyrë disa mjekë të pyesin, nëse është më mirë që gratë e mbipeshë të ruajnë peshën e tyre, ose të humbin atë gjatë shtatzënisë.


Doktor Raul Artal, profesor dhe kryetar i departamentit të obstetrikës, gjinekologjisë dhe shëndetit të femrave në Universitetin e Saint Louis (SHBA), dhe kolegët e tij kanë studiuar 96 shtatzëna me mbipeshë me diabet.

Diabeti gjatë shtatzënisë është sëmundje me nivel të lartë të sheqerit në gjak që paraqitet tek gratë vetëm gjatë kësaj periudhe dhe të cilat nuk kanë pasur diabet më herët; ky lloj diabeti zakonisht largohet pas periudhës së shtatzënisë.

Gratë të cilat janë studiuar, kanë zgjedhur ushqim me kalori të reduktuar ose ushqim të pasur me kalori por edhe ushtrime – ecje për rreth 20 minuta pas çdo ngrënie. Rreth gjysma e grave në grupin që janë marrë me ushtrime kanë ruajtur peshën e tyre ose kanë rënë në peshë, përderisa katër nga pesë gra në grupin e atyre që vetëm kanë mbajtur dietë (pa ushtrime fizike), kanë pasur rritje të peshës.

“Femrat të cilat e kanë ruajtur peshën gjatë shtatzënisë, ose e kanë humbur atë dhe kanë bërë ushtrime, kanë më pak komplikime krahasuar me ato që kanë qenë vetëm në dietë”, thonë studiuesit. “Ne kemi parë që këto gra kanë lindur foshnje me madhësi normale, që do të thotë se kjo luan rol në uljen e komplikimeve”.

A është e sigurt që gratë e trasha të humbin peshën gjatë shtatzënisë? Doktor Christofer Glantz, profesor i obstetrikës dhe gjinekologjisë në Universitetin Rochester (New York), thotë “JO”. Ai thekson se studimet e sipërpërmendura janë të pakta dhe të kufizuara për tu aplikuar tek të gjitha gratë e shëndosha gjatë shtatzënisë.

“Përvoja ime thotë se foshnjat lindin të shëndosha kur gratë e trasha nuk shtojnë peshën ose shtojnë atë deri në 6 kilogramë, sa edhe rekomandohet”, ka thënë Dr. Glantz. “Për gratë e kategorisë më të lartë të obezitetit, nuk është problem edhe nëse ata humbin peshën”.

Megjithatë, studiuesit potencojnë rëndësinë e ushtrimeve gjatë shtatzënisë, veçanërisht për gratë e shëndosha. “E dimë se ushtrimet në shtatzëni janë të shëndetshme për çdokënd”, thonë ata.

“Kur flasim për ushtrime fizike, flasim vetëm për ecjen – forma më e sigurt e ushtrimeve. Nëse janë të trasha, gratë shtatzëna mund të merren me ecje të një rritmi mesatar, që është edhe më e dobishme. Edhe marrja e ushqimit me kalori të ulët është po ashtu e dobishme”.

Është e rëndësishme të kuptohet fakti se shtatzënia është periudha e mos-aktivitetit dhe ngrënies së tepërt.

Mesazhi i studimit është se shtatzënia nuk është stad i izolimit, dhe po ashtu nuk duhet të hani për dy persona. /Telegrafi/