Zakonisht fillon me ndjesinë e mpirjes në duar dhe këmbë, për shkak të qarkullimit të dobët të gjakut

Humbja e qimeve në këmbë, veçanërisht në pjesët më të ulëta të gjymtyrëve, mund të jetë shenjë e një sëmundjeje e cila, nëse komplikimet nuk trajtohen, mund të ketë pasoja fatale.


Diabeti është një sëmundje që ka marrë përmasa epidemike, sidomos në vendet e zhvilluara dhe te personat mbi 50 vjeç. Kur zbulohet herët dhe kontrollohet mirë, pacienti mund të jetojë normalisht. Problemi qëndron te fakti që diabeti shpesh quhet “sëmundje e heshtur”, prandaj mund të ketë luhatje të sheqerit pa u vërejtur. Për këtë arsye, mjekët këshillojnë që të paktën një herë në vit të kontrollojmë nivelin e sheqerit në gjak dhe të vëzhgojmë simptomat që mund të tregojnë vështirësi në mbajtjen nën kontroll të glikemisë.

Kontrolloni analizat e gjakut

Nëse lëkura e këmbëve dhe shputave tuaja duket e lëmuar dhe vini re rënie të dukshme të qimeve në këmbë, sidomos në pjesën e poshtme të tyre, pa qenë kjo pasojë e depilimit të vazhdueshëm, atëherë është koha të kontrolloni gjakun. Është e mundur të keni nivele të paqëndrueshme të sheqerit në gjak.

Dr. Kenneth Harless, specialist për diabetin, shpjegon se humbja e qimeve në pjesët e poshtme të gjymtyrëve mund të jetë tregues i neuropatisë diabetike, një dëmtim i nervave periferikë që ndodh kur diabeti nuk kontrollohet si duhet. Neuropatia diabetike është një komplikim i diabetit që çon në qarkullim të dobët të gjakut, dëmtim të mëtejshëm të nervave në gjymtyrët e poshtme dhe si pasojë, mund të shkaktojë rënie të qimeve në këmbë, transmeton Telegrafi.

Shfaqen edhe simptoma të tjera

Neuropatia diabetike zakonisht fillon me ndjesinë e mpirjes në duar dhe këmbë, për shkak të qarkullimit të pamjaftueshëm të gjakut.

- Sa më i avancuar të jetë niveli i neuropatisë diabetike, aq më i madh është edhe humbja e qimeve në këmbë, veçanërisht në zonat afër shputave, thotë dr. Harless. Këtë e vërteton edhe një studim i vitit 2019, në të cilin morën pjesë 107 pacientë, dhe që tregoi se humbja e qimeve mund të jetë tregues i dëmtimit të nervave. Simptoma të tjera mund të jenë turbullimi i përqendrimit (“mjegulla cerebrale”), ngadalësimi i shërimit të plagëve, probleme me shikimin dhe mundësia e dëmtimit të veshkave.

Diabeti dhe paradiabeti

Shkaqet kryesore të diabetit të tipit 2 janë ushqyerja e pashëndetshme me yndyra dhe sheqerna të këqij, obeziteti dhe mungesa e aktivitetit fizik. Pacientët zakonisht ndjejnë uri të shtuar, nevojë për urinim të shpeshtë dhe lodhje të vazhdueshme. Në disa raste, mund të bëhet fjalë për paradiabet - kur niveli i glukozës në gjak (5.7 deri 6.9 mmol/L) është mbi vlerat normale, por ende nën pragun diagnostikues për diabet. Vlerat normale të glukozës janë 3.5-6.1 mmol/L.

Te personat me paradiabet vërehen nivele të larta të sheqerit në gjak, ndërsa nëse nuk merren masa, kjo gjendje mund të kalojë në diabet të tipit 2. Lajmi i mirë është se kjo është një gjendje metabolike e kthyeshme, niveli i sheqerit mund të kthehet në normalitet dhe të parandalohet kalimi në diabet. /Telegrafi/