Holanda konfirmon mbështetjen për Kosovën

Ministri Hyseni e ka njohur ministrin holandez me zhvillimet dhe progresin që Kosova ka arritur, veçmas prej shpalljes së pavarësisë e këndej. Duke u ndalur te procesi i GJND-së, ministri Hyseni ndërsa e njoftoi homologun e tij holandez me përgatitjet që Kosova ka bërë për prezantimin e saj, para GJND-së, shfaqi po ashtu, besimin e plotë të Kosovës në paanësinë e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Një temë tjetër në të cilën u fokusua ministri Hyseni gjatë takimit, ishte edhe bashkëpunimi rajonal, për çka ai potencoi marrëdhëniet e mira që Kosova ka ndërtuar me vendet fqinje. Po ashtu, ministri Hyseni rikonfirmoi vendosmërinë e institucioneve të Kosovës për ecjen kah integrimet evropiane.
Nga ana e tij, ministri Verhagen e siguroi ministrin Hyseni se, vendi i tij do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në perspektivën e saj evropiane. Po ashtu, ai foli për thellimin e bashkëpunimit dypalësh në fusha të ndryshme, bashkëpunim ky që ka filluar me drejtësinë e që do të vazhdojë edhe me fusha të tjera të rëndësishme.
Ndërkaq, ministri Verhagen e siguroi ministrin Hyseni se, Holanda do ta mbështesë dhe përkrahë praninë e Kosovës në forume të ndryshme ndërkombëtare.
Të dy bashkëbiseduesit ndanë mendime të njëjta sa i përket marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve, për çka edhe premtuan se marrëdhëniet e tilla do të thellohen edhe më tej në të ardhmen.
Ministri Hyseni është duke qëndruar në Hagë, si kryesues i delegacionit të Kosovës që do ta përfaqësojë Kosovën në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Radha e paraqitjes së Kosovës para GJND-së në Hagë është të martën në orën 15:00 dhe do të zgjasë 3 orë.
Fjalën hyrëse në këtë paraqitje do ta ketë përfaqësuesi i Republikës së Kosovës, ministri Hyseni. Fjala e ministrit Hyseni do të pasohet nga paraqitjet e ekspertëve dhe këshilltarëve ndërkombëtarë, Sir Michael Wood, Daniel Müller dhe Sean Murphy. /Telegrafi/



















































