Lutfi Haziri, nënkryetar i LDK-së dhe ish–kryetar i Komunës së Gjilanit, ka akuzuar Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti për përjashtim të rajonit të Gjilanit dhe Anamoravës nga investimet kapitale dhe për shuarjen e projekteve të rëndësishme për qytetarët.

Haziri i referohet një periudhe 6-vjeçare gjatë së cilës, sipas tij investimet e zotuara nga qeveria kanë mbetur në letër.


Ai e ka cilësuar këtë si një mashtrim, duke theksuar mungesën e projekteve madhore në fushat e infrastrukturës, arsimit e shërbimeve publike.

Ai theksoi se projekti i zhvillimit të Bulevardit “Ibrahim Rugova” është injoruar, dhe ngriti një tjetër shqetësim për zhvendosjen e shtatoreve të figurave historike si Mulla Idrizi, Kadri Zeka dhe Ramiz Cernica, duke pyetur nëse kjo është e justifikuar dhe pse po bëhet pa diskutim publik.

“Në vend që fëmijët të gëzohen me çerdhe të reja, librat dhe investime konkrete, kombinojnë inaugurime pa leje, pa plan urban e dhe pa buxhet. Premtuan një tunel nëntokësor në qendër të qytetit – por pa dokumentacion dhe pa transparencë", ka shkruar Haziri.

Sipas tij, projekte të domosdoshme, si ndërtimi i autostradës, trajtimi i ujërave të zeza, parku i paqes, çerdhe e rrugë të reja janë bllokuar.

Ai akuzon qeverinë për degradimin e rrugëve ekzistuese si Adem Jashari dhe Hamdi Kurteshi dhe për shtyrjen e stadiumit të qytetit që do të duhej të ishte gati për Ligën e Konferencës.

“Mashtrimi nuk kalon! Gjilanasit dhanë një copë besimi – por ju e nëpërkëmbët. LDK është shpresa. Arbëri po vjen – më 12 tetor, LDK sjell besë e shpresë". /Telegrafi/