Haxhiu: Murali “Çast” në Mitrovicë, thirrje e përhershme për respekt, përkrahje dhe drejtësi


Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë në inaugurimin e muralit “Çast” në Mitrovicë, një vepër artistike e dedikuar të mbijetuarave dhe të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, Haxhiu theksoi se ky mural përfaqëson një hap të rëndësishëm në ruajtjen e kujtesës kolektive dhe në ndërgjegjësimin e shoqërisë për një nga krimet më të rënda të kryera gjatë luftës.
“Sot, udha e kujtesës e shënoi ndalesën e radhës në Mitrovicë me inaugurimin e muralit 'Çast', një vepër kuptimplotë kushtuar të mbijetuarave dhe të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Pas Prishtinës, Pejës dhe Therandës, edhe Mitrovica i bashkohet këtij rrugëtimi që refuzon heshtjen dhe e sjell të vërtetën e dhimbshme aty ku rreh pulsi i qytetit, në rrugë, pranë njerëzve dhe jetës së përditshme”, ka shkruar ajo.
Tutje Haxhiu tha se: “Ky mural na kujton se ka çaste që zgjasin sa një jetë. Prandaj kujtesa për këtë krim nuk duhet të mbetet vetëm në fjalime e përvjetorë, por duhet të jetë e pranishme në çdo hap tonin. Një falënderim i veçantë shkon për Presidenten Jahjaga, Fondacionin Jahjaga dhe të gjithë bashkëpunëtorët që po e kthejnë këtë të vërtetë në art dhe ndërgjegje kombëtare. Të mbijetuarit e kanë pasur gjithmonë vendin në historinë tonë, por nga sot, e vërteta e tyre merr vend të merituar edhe në muret e Mitrovicës, si një thirrje e përhershme për respekt, përkrahje dhe drejtësi”. /Telegrafi/



































