Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Albulena Haxhiu, ka reaguar pas ngritjes së aktakuzës ndaj ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, në lidhje me menaxhimin e rezervave shtetërore.

Haxhiu ka deklaruar se hetimet ndaj Hajdarit janë “të ndikuara”, ndërsa aktakuza, sipas saj, është “e motivuar politikisht dhe pa bazë reale”.


“Kjo aktakuzë është e motivuar politikisht, pa asnjë bazë reale dhe dukshëm e qëllimshme. Ministrja ka bërë gjithçka që ka qenë në dorën e saj për të mbrojtur interesin e vendit dhe për të siguruar që Kosova të ketë rezerva shtetërore, ndryshe nga qeveritë e kaluara që kishin lënë vendin pa rezerva. Është e qartë se ekziston një tendencë për të njollosur figurën e saj”, ka shkruar Haxhiu në një reagim publik, përcjell Telegrafi.

Aktakuza ndaj ministres Hajdari është ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës, në lidhje me çështjen e furnizimit dhe menaxhimit të rezervave shtetërore, e cila tashmë është në procedurë gjyqësore. /Telegrafi/