“Lajm i mrekullueshëm për Kosovën” – Harry Bajraktari tregon çfarë duhet të ndodhë tani pas marrëveshjes LVV-LDK

Veprimtari shqiptaro-amerikan, Harry Bajraktari, ka përshëndetur marrëveshjen e arritur mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për kandidaturën e ambasadorit dhe profesorit Bekim Sejdiu për President të Republikës së Kosovës.
Bajraktari e ka cilësuar marrëveshjen për tejkalimin e ngërçit politik si “lajm të mrekullueshëm për Kosovën”.
Ai ka vlerësuar se Sejdiu do t’i ofrojë Kosovës një president serioz dhe të përgatitur, me përvojë në fushën juridike, shtetërore, akademike dhe diplomatike.
“Bekim Sejdiu do t’i japë Kosovës një President serioz, të përgatitur e me përvojë të madhe juridike, shtetërore, akademike e diplomatike, që di ta mbrojë Kushtetutën dhe interesat e popullit të Kosovës, dhe di si të komunikojë me botën për ta çuar vendin përpara”, ka shkruar Bajraktari.
Ai u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës që ta mbështesin kandidaturën e Sejdiut për president.
Bajraktari ka thënë se komuniteti shqiptaro-amerikan dhe miqtë e Kosovës në Washington janë duke pritur konstituimin e Kuvendit, formimin e qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit të ri.
Sipas tij, pas tejkalimit të ngërçit politik, Kosova përballet me detyra të rëndësishme, ndër të cilat ka veçuar angazhimin për anëtarësimin e vendit në NATO dhe forcimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Na presin punë të mëdha. Duhet ta nisim menjëherë angazhimin për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe të investojmë në Washington për fuqizimin e miqësisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka deklaruar ai./Telegrafi/








































