LAJMI I FUNDIT:

“Harrohet” Astrit Haraqija

“Harrohet” Astrit Haraqija

Po e “mshefin” Astrit Haraqijën dhe postin e tij aktual si zëvendësministër i Financave. Tash shtatë muaj ai ka këtë post që e mori duke iu falënderuar “Listës dr. Ibrahim Rugova”, pjesë e së cilës është ende. Por, në ueb-faqen e Ministrisë së Financave nuk figuron askund, megjithëse kolegu i tij, zëvendësministri tjetër Ramadan Avdiu e ka biografinë e tij aty. Për këtë nuk është në dijeni as zëdhënësi i kësaj ministrie, Menderes Ibra, i cili thotë se nuk i di arsyet e mospublikimit.

Numri i zëvendësministrave në Qeverinë e Kosovës asnjëherë nuk u tregua nga kryeministri i vendit, Hashim Thaçi edhe pse emërimi i tyre i takon atij drejtpërsëdrejti, por Haraqija është edhe zyrtarisht pjesë e listës me emrat e zëvendësministrave, numri i së cilëve ende nuk dihet saktë.

Megjithëse nuk e shohim në deklarata për media apo në debate, ai zhvillon punën normalisht, shkon në zyrë madje edhe bën udhëtime jashtë vendit.

Këtë e konfirmojnë edhe zyrtarët e Ministrisë së Financave, por të pyetur se përse nuk e publikojnë emrin e Astrit Haraqisë në ueb-faqe zyrtare, ata befasohen nga ky lajm. “Për besë nuk e di unë. Unë sapo të kthehem në zyre do t’i kontaktoj departamentin që mirëmbajnë ueb-faqen. Për besë nuk ka asnjë arsye aty, me siguri unë po të them, se për besë nuk po e di këtë”, ka thënë Menderes Ibra zëdhënës i Ministrisë së Financave.

Por në orët e pasdites, ai ka deklaruar se askush nuk ka ditur t’ia sqaronte përse nuk figuron emri i Haraqisë në ueb-faqe të ministrisë. “Mua nuk më janë të njohura arsyet përse nuk është në listë, unë çka munda të bisedoj me Departamentin e informatikës, më thanë se janë në fazën e fundit në përpilimit të fazës së re, e di që secili prej punëtorëve të lartë në momentin që duan të dalin në ueb-faqe e përgatisin CV-në e tyre”, ka thënë Ibra për Kosovapress .

Ndryshe, Haraqija para se të emërohej në ekzekutiv kishte qenë mjaft kritik ndaj shefit të Qeverisë, Hashim Thaçi, duke i kërkuar atij llogari për paratë e fondit “Vendlindja thërret”. /Telegrafi/