Ish-zëvendëspresidentja amerikane, Kamala Harris ka deklaruar për BBC-në se mund të kandidojë sërish për postin e presidentes amerikane, duke sinjalizuar se ende nuk ka përfunduar karriera e saj politike.

Në intervistën e saj të parë në Britani, ajo tha se e sheh të ardhmen si një kohë kur një grua do të udhëheqë SHBA-në.


E pyetur nëse ajo do të jetë ajo grua, Harris u përgjigj “ndoshta”, duke dhënë kështu shenjën më të fortë deri më tani se do të kërkojë sërish nominimin presidencial në vitin 2028, pasi humbi vitin e kaluar nga Donald Trump.

“Nuk kam mbaruar ende. E gjithë karriera ime ka qenë në shërbim të publikut dhe kjo është në gjakun tim”, shtoi demokratja.

Harris hodhi poshtë sondazhet që e rendisin atë mes kandidaturave të jashtme për nominimin demokrat, madje pas aktorit të Hollivudit Dwayne “The Rock” Johnson, transmeton Telegrafi.

“Po të kisha dëgjuar sondazhet, nuk do të isha kandiduar as për funksionin tim të parë, as për të dytin, e sigurisht nuk do të isha sot këtu”, tha 61-vjeçarja.

Gjatë intervistës, Harris sulmoi edhe rivalin e dikurshëm, duke e quajtur Trumpin “tiran” dhe se paralajmërimet e saj gjatë fushatës për të janë vërtetuar të sakta.

“Ai tha se do ta përdorte Departamentin e Drejtësisë si armë, dhe pikërisht këtë ka bërë”, deklaroi ajo.

Si shembull, ajo përmendi pezullimin e prezantuesit të emisionit Jimmy Kimmel nga rrjeti ABC, pas një shakaje për reagimin e republikanëve ndaj vdekjes së influencuesit të djathtë Charlie Kirk.

Heqja e tij nga transmetimi, e festuar nga Trump, ndodhi pasi një rregullator i emëruar prej tij kërcënoi rrjetin televiziv të Kimmelit.

Ndërsa Partia Demokratike po analizon arsyet e fitores së Trumpit, shumë fajësojnë presidentin amerikan, Joe Biden për tërheqjen e vonuar, por shtrohet edhe pyetja nëse Harris mund të kishte zhvilluar një fushatë më të fortë me një mesazh më të qartë ekonomik. E pyetur se çfarë shkoi keq, ajo tha se fillimi i vonuar e bëri pothuajse të pamundur fitoren.

Humbjen, që e befasoi, ajo e përshkroi si traumatike. “O Zot, o Zot, çfarë do të ndodhë me vendin tonë?”, kujtoi ajo reagimin e saj pas rezultateve. Edhe pse diferenca në numrin e përgjithshëm të votave ishte më pak se 2 për qind, Trump fitoi në kolegjin elektoral vendimtar.

Harris shprehu keqardhje që në vitin 2024 nuk pati mjaft kohë për të prezantuar idetë e saj për çështje kyçe si strehimi dhe kujdesi për fëmijët. Megjithatë, edhe me më shumë kohë, mbetet e paqartë nëse argumentet e saj do të kishin bindur votuesit.

Ish-zëvendëspresidentja amerikane aktualisht ndodhet në turne për promovimin e librit të saj, e rrethuar nga ndihmës dhe një orar i rreptë që ngjan me atë të një fushate presidenciale. Edhe pse këtë herë nuk është në garë, vendosmëria dhe hapja e saj tregojnë se kjo mund të jetë vetëm fillimi i një beteje të re për Shtëpinë e Bardhë. /Telegrafi/