Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves sot është pritur në takim nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Hargreaves tha se në këtë takim ka shprehur shqetësimin për dështimin e partive politike për të rënë dakord në lidhje me buxhetin. Ata kanë diskutuar edhe për shpërbërjen e Kuvendit, zgjedhjet e reja si dhe për fushatën që do të zhvillohet.


“Shpresojmë për një fushatë zgjedhore të qetë dhe pozitive. Shpreha shqetësim për dështimin e partive politike për të rënë dakord për një zgjatje të buxhetit, Planin e Rritjes së BE-së dhe marrëveshjet e financimit të Bankës Botërore, të cilat do t’i sillnin dobi popullit të Kosovës”, ka shkruar ai.

Ambasadori gjithashtu ka bërë të ditur se pret bashkëpunim nga partitë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme, derisa u shpreh se Kosova nuk mund të humbë kohë.

Edhe në njoftimin e Presidencës thuhet se në takim u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend dhe për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Presidentja ritheksoi rëndësinë e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor dhe respektimit të standardeve më të larta demokratike./Telegrafi/