Haradinaj: Vizioni shtetformues i presidentit Rugova themel i shtetit të Kosovës

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kujtuar presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, në 20-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta, duke theksuar rolin vendimtar të Rugovës në ditët e para të lirisë dhe të shtetndërtimit.
Në profilin e tij në Facebook, Haradinaj ka theksuar se ka pasur nderin të bashkëpunojë me Presidentin Rugova në një periudhë jashtëzakonisht të ndjeshme për Kosovën, kur po viheshin themelet e shtetit të ri.
“Sot, në përvjetorin e 20-të të ndarjes së tij nga jeta, e kujtojmë me respekt të thellë dhe mirënjohje të përhershme”, ka shkruar Haradinaj, duke vlerësuar vizionin shtetformues të Rugovës.
“Presidenti Rugova i kushtoi rëndësi të veçantë forcimit të lidhjeve me Perëndimin, duke ndërtuar dhe kultivuar miqësinë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, orientim që i parapriu pavarësisë së Kosovës dhe që vazhdon të mbetet boshti kryesor i vizionit shtetëror të vendit”, përfundoi. /Telegrafi/





















































