LAJMI I FUNDIT:

Haradinaj: Do ta rrisim partneritetin me sektorin privat

Haradinaj: Do ta rrisim partneritetin me sektorin privat

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë një takimi me përfaqësuesit e Odës së Afarizmit të Kosovës, të udhëhequr nga kryetari i Bordit, Skënder Krasniqi, kanë biseduar për zhvillimin ekonomik, fuqizimin e partneritetit ndërmjet institucioneve, odave dhe sektorit privat në përgjithësi.

Haradinaj tha se Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm që të jetë përkrah prodhuesve vendorë, duke theksuar përkushtimin që edhe më tutje të vazhdojë punën në reformat e përgjithshme në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, fuqizimit të sektorit privat dhe krijimit të një klime të favorshme për biznese.


Gjatë takimit, është diskutuar edhe për taksën e vendosur nga Qeveria e Kosovës për masën prej 100 për qind ndaj produkteve të importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, për të cilën kryeministri Haradinaj tha se kjo është përgjigje ndaj veprimeve të vazhdueshme destruktive të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës ndaj subjektivitetit dhe sovranitetit të Kosovës.

Përfaqësuesit e Odës së Afarizmit të Kosovës i kanë shpalosur para Kryeministrit Haradinaj një listë të kërkesave të tyre karshi Qeverisë së vendit, për të cilat ai tha që do të angazhohet në adresimin e tyre. /Telegrafi/