Personi që u gjet i vdekur në Veternik ishte kandidat për deputet nga AAK, Haradinaj shpreh ngushëllime

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar pas lajmit për vdekjen e Hekuran Hoxhës, kandidatit të AAK-së për deputet.
Sipas Policisë, viktima është gjetur pa shenja jete brenda një automjeti në Veterrnik, dalje të Prishtinës.
Haradinaj e përshkroi Hoxhën si një koleg të afërt dhe të angazhuar prej shumë vitesh në aktivitetet politike të partisë, duke theksuar korrektësinë, respektin dhe përkushtimin e tij ndaj secilit.

“Ndarja e tij nga jeta na tronditi të gjithëve! Në këto momente të rënda, shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së nderuar Hoxha, miqve dhe të gjithë kolegëve në Aleancë. Qoftë i përhershëm kujtimi për ty, Kani!”, tha Haradinaj në reagimin e tij.
Lidhur me këtë rast, nga Prokuroria e Prishtinës kanë deklaruar se rasti tashmë është iniciuar si, "Hetim mbi vdekjen".
Po ashtu, prokurori i rastit ka autorizuar që trupi i pajetë të dërgohet për autopsi që të zbulohen rrethanat e plota të rastit/Telegrafi.


















































