Haradinaj: Njohja e Kosovës nga Siria tregon se bashkëpunimi me aleatët sjell rezultate

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas lajmit se Siria ka njohur zyrtarisht pavarësinë e Kosovës.
Ai e ka cilësuar këtë si një sukses të rëndësishëm diplomatik dhe një dëshmi të fuqisë së bashkëpunimit me miqtë dhe aleatët.
“Njohja e Kosovës nga Siria është lajm që tregon se bashkëpunimi i ngushtë me miqtë dhe aleatët sjell rezultate të jashtëzakonshme,” ka thënë Haradinaj.
Ai ka vlerësuar punën e Presidentes Vjosa Osmani, duke theksuar se me këtë njohje, Kosova arrin të njihet nga 120 shtete që nga shpallja e pavarësisë.
“Kemi shumë punë përpara, mirëpo Kosova është këtu për të qëndruar me botën demokratike, në një frymë me aleancat tona,” ka shtuar Haradinaj, duke nënvizuar rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe bashkëpunimit strategjik për të ardhmen e vendit.
Njohja nga Siria është e treta këtë vit për Kosovën, pasi më herët dy shtete afrikane, Sudani dhe Kenia, e njohën atë.
Njohjet nga këto vende vijnë pas një rënie të ritmit të njohjeve të Kosovës në vitet e fundit. Para tyre, shteti i fundit që e njohu atë ishte Izraeli në vitin 2021.
Siria është bërë tani shteti i 120-të që e njeh Kosovën, një vendim që pritet ta zemërojë Serbinë, e cila e lufton vazhdimisht pavarësinë e fqinjit të vet.
Serbia kishte reaguar me zemërim ndaj njohjeve të fundit të Kosovës, pasi vazhdon ta cilësojë Kosovës si pjesë të veten edhe 17 vjet pas pavarësimit të saj.







































