Barcelona pësoi një humbje të rëndë 4-0 ndaj Atletico Madrid në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Mbretit, të zhvilluar të enjten.

Katalanasit do të duhet të përmbysin disavantazhin prej katër golash nëse duan të mbrojnë titullin e fituar sezonin e kaluar, me ndeshjen e kthimit që do të luhet në 'Spotify Camp Nou'.


Sipas Marca, trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, reagoi pas ndeshjes në konferencën për shtyp, duke pranuar se skuadra e tij ishte larg nivelit të zakonshëm në ‘Riyadh Air Metropolitano’.

“Nuk luajtëm mirë në pjesën e parë, nuk luajtëm si ekip. Distanca mes tyre dhe nesh ishte e madhe. Nuk bëmë presion. Dhe në 45 minutat e para morëm një mësim të madh”, deklaroi Flick.

“Në fund ishte më mirë. Kemi edhe dy pjesë të tjera për të luajtur dhe do të luftojmë. Nëse fitojmë 2-0 në secilën pjesë… do të kemi nevojë për tifozët tanë në shtëpi.”

Flick u pyet gjithashtu për vendimin për të anuluar golin e Pau Cubarsi pas një kontrolli tetëminutësh të VAR-it.

“Gjithçka nisi me kartonët e verdhë, ndërhyrja e parë ndaj Balde ishte e tillë. Sigurisht. Do të ishte krejt ndryshe nëse do ta kishte dhënë kartonin. Duke mos e bërë këtë, i fton ata të luajnë në këtë mënyrë. Është rrëmujë”.

“Ata presin shtatë minuta, hajde pra. Çfarë gjetën në këto shtatë minuta? Në rregull. Kur e pashë situatën, ishte e qartë që nuk kishte pozicion jashtë loje".

“Ndoshta ata panë diçka ndryshe. Atëherë na tregoni. Nuk ka komunikim. Është shumë keq këtu”, ka deklaruar gjermani./Telegrafi/

telegrafi sport app